Delvina shpallet pasuri kulturore e paluajtshme, zgjimi i një qyteti drejt turizmit
2026-03-30 - 09:11
Kërkesa e turistëve për eksperienca autentike dhe eksplorim kulturor duket se ka ndryshuar qasjen e Shqipërisë në kërkim të “thesareve” të fshehura apo të harruara brenda territorit të saj. Një prej tyre duket se është edhe nisma e fundit e njoftuar nga ministri i Turizmit Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe i cili në profilin e tij në rrjetin social Facebook njoftoi se tashmë qyteti i Delvinës është shpallur pasuri kulturore e paluajtshme në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”. Duket se qeveria po rrit fokusin drejt trashëgimisë kulturore si pjesë e strategjisë për zhvillimin e turizmit, në një kohë kur vendi po përjeton ende një interes konstant të vizitorëve dhe një zhvendosje graduale drejt përvojave autentike që shpesh jepet si përshtypje nga të huajt. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale vlerëson rëndësinë historike, arkitektonike dhe urbanistike të qytetit, duke synuar një mbrojtje më të mirë të identitetit të tij urban dhe karakterit tradicional. Statusi i ri vendos bazat për ndërhyrje të kontrolluara restauruese dhe menaxhim më të qëndrueshëm të zhvillimit. Sipas Gonxhes ky vendim synon mbrojtjen, ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore duke e cilësuar Delvinën si një aset me vlera të veçanta kombëtare. Shqipëria po tenton viteve të fundit të diversifikojë ofertën turistike përtej modelit të turizmit bregdetar. Rritja e kërkesës nga turistët ndërkombëtarë për destinacione më pak të eksploruara, me identitet të fortë lokal dhe autenticitet kulturor, po i shtyn institucionet të orientojnë politikat drejt mbrojtjes dhe promovimit të qyteteve historike dhe zonave me trashëgimi të pasur.