Cilësia e investimeve në diskutim, 41% e fondit u përdor në dhjetor në 2025
2026-03-04 - 10:04
Shpenzimet kapitale gjatë vitit 2025 patën një përqendrim të lartë në dhjetor, ku u shpenzua më shumë se 41 për qind e fondit total. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave shpenzimet kapitale që përfaqësojnë investimet me fonde buxhetore arritën gjithsej 131,6 miliardë lekë (1,3 miliardë euro) 16% me pak se plani, por gati gjysma e kësaj shume, 54.5 miliardë lekë u shpenzua gjatë muajit dhjetor. Zëri i investimeve pati luhatje përgjatë muajve, por në dhjetor ishte gati 7 herë më i lartë se mesatarja mujore nga janari në nëntor të vitit të shkuar. Viti 2025 nisi me ritme të ulëta. Në janar u shpenzuan 1,9 miliardë lekë dhe në shkurt 1,2 miliardë lekë, duke reflektuar një fillim të ngadaltë të ekzekutimit të projekteve kapitale. Rritja vazhdoi në muajt pasardhës, por me ritme shumë më të ulëta se plani buxhetor. Edhe viti 2025 tregoi një tendencë të njohur në financat publike shqiptare, ku një pjesë e konsiderueshme e investimeve realizohet në fund të vitit. Ekspertët e financave shpjegojnë se përqendrimi i lartë në dhjetor ngre gjithashtu pikëpyetje mbi planifikimin dhe shpërndarjen më të balancuar të investimeve përgjatë vitit dhe eficencen e investimeve. Një rritje kaq e fortë në fund të vitit po krijon presion mbi likuiditetin. Shpenzimet që nuk janë të shpërndara në mënyrë të ekuilibruar gjatë vitit i vënë bizneset përballë shtyrjes së pagesave, përdorim më të madh të kredive afatshkurtra ose konsumim të rezervave financiare. Në janar 2026 Banka e Shqipërisë raportoi rritje të fortë të depozitave të biznesit në banka. https://monitor.al/depozitat-e-biznesit-e-nisen-me-rritje-vitin-2026/ Mirëpo një përqendrim i lartë në dhjetor sjell rrezik për efikasitetin e shpenzimeve. Ekspertët dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë vënë në dukje se kur fondet përdoren me nxitim ekziston rreziku që vendimet të jetë më pak e kujdesshme dhe projektet të mos kenë analizën e duhur kosto-përfitim. Kjo mënyrë të shpenzuari ka dhënë efekte të tjera në ekonomi. Injektimi i madh i fondeve në dhjetor rrit përkohësisht kërkesën për mallra dhe shërbime, duke ushtruar presion mbi çmimet, kapacitetet e furnitorëve dhe zinxhirin e furnizimit. Çdo fund viti qeveria miraton buxhet në rritje për vitin pasardhës, por në të vërtete asnjëherë nuk arrin të ekzekutohet sipas planit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë edhe pse vendi ka nevoja të mëdha me gati 20 për qind të popullsisë në varfëri relative dhe një emigracion masiv. Edhe me 2025 buxhetit të shtetit i kanë tepruar 300 milionë euro, të cilat nuk kanë arritur të shpenzohen sipas programit. Me ndryshimet e fundit në aktin normativ për vitin 2025 ishin planifikuar për tu shpenzuar 831 miliardë lekë, por u realizuan vetëm 801 miliardë lekë ose 30 miliardë lekë më pak se plani. Burimi: Ministria e Financave