BSH mban normën bazë të pandryshuar… me sytë nga Lindja e Mesme
2026-03-25 - 16:01
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti sot të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Në fjalën e tij, Guvernatori Gent Sejko tha se, deri në tremujorin e parë 2025, ekonomia ka shfaqur një ecuri pozitive, por konflikti në Lindjen e Mesme është burim ekstrem rreziku dhe efektet e tij janë të vështira për t’u parashikuar. Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë do të marrë kohë për të vlerësuar më qartë efektet që ky konflikt mund të sjellë në ekonominë globale dhe atë shqiptare, duke e krahasuar atë potencialisht me goditjen e fortë inflacioniste që shkaktoi nisja e luftës në Ukrainë, në vitin 2022. “Konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme janë një burim ekstrem rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjetike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për tu vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie. Gjithsesi, zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen. Në ngjashmëri me reagimin e bankave të tjera qendrore, ai mundëson më shumë kohë për monitorimin e ecurisë së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe për vlerësimin e impaktit të tyre në vend,” tha Sejko. Gjithashtu, ai shtoi se materializimi i goditjeve të ofertës do të kërkojë masa të kujdesshme monetare e fiskale. “Këto masa duhet të prioritizojnë ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit dhe mbrojtjen e segmenteve më vulnerabël të ekonomisë e shoqërisë. Sa më sipër, reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste,” u shpreh Guvernatori. Duke folur për ecurinë e ekonomisë, mbështetur në të dhënat e deritanishme, Sejko tha se ekonomia shqiptare ka shfaqur ecuri pozitive, mbështetur nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat, dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të shfaqë një natyrë konsoliduese ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie. Ky profil kërkese ka nxitur zgjerimin e sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në tregun e punës. Punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 5.6% gjatë vitit 2025, paga mesatare u rrit me 8.5%, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit qëndroi në një nivel të ulët historik prej 8.3%. Sipas Guvernatorit, rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë e plotë në rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga rritja e produktivitetit dhe reduktimi i marzhit të fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension. Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i familjeve dhe bizneseve për të ardhmen, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit. Sejko tha se politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol esencial në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, duke ndihmuar kontrollin e pritjeve për inflacionin dhe duke kontribuuar në përmirësimin e kushteve të financimit. “Më konkretisht, lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2025 solli një ulje të mëtejshme të normave të interesit të kredive dhe u pasqyrua në një rritje të qëndrueshme e të shpejtë të saj. Po ashtu, prezenca e shtuar e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor tërhoqi një pjese të ofertës së shtuar të valutës, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të kursit të këmbimit. Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Kushtet e favorshme të financimit janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej pothuaj 14% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, përqendrim të rritur në lekë, si dhe duke mbetur e orientuar drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe ka mbuluar nevojat e përkohshme të tyre për likuiditet, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike,” tha Sejko.