Borxhi i varur (obligacionet) i sektorit bankar arrin vlerën më të lartë historike
2026-02-16 - 10:17
Borxhi i varur i sektorit bankar u rrit përsëri vitin e kaluar dhe arriti vlerën më të lartë historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2025 borxhi i varur kishte vlerën e afërsisht 29.7 miliardë lekëve, në rritje me 29.7% krahasuar me një vit më parë. Rritja e fortë e borxhit të varur në bilancet e bankave në vitet e fundit është e lidhur kryesisht me kërkesat më të larta për kapital të aplikuara nga Banka e Shqipërisë. Veçanërisht shtesat makroprudenciale të kapitalit, por pjesërisht edhe ato të lidhura me kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL) kanë shtyre bankat të përdorin gjithnjë e më shumë instrumentin e borxhit të varur për të plotësuar pjesërisht shtesat e kërkuara të kapitalit. Sipas rregullores “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, instrumentet e borxhit të varur të bankave njihen si kapital rregullator i nivelit të dytë, që mund të mbulojnë deri në një të tretën e kapitalit të kërkuar rregullator. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar borxhi i varur përbënte rreth 12.8% të kapitalit rregullator të sistemit bankar, në rritje nga niveli prej 11% zinte në fund të vitit 2024. Në pjesën dërrmuese, kapitali i sektorit bankar konsiston në instrumente të nivelit të parë, si kapital i paguar, rezerva, fitime të mbartura apo prime aksionesh. Borxhi i varur renditet i fundit në radhën e shlyerjes së detyrimeve të subjektit, në rast falimentimi. Për këtë arsye, ai klasifikohet si instrument me rrezik më të lartë krahasuar me detyrimet e tjera të një shoqërie tregtare. Borxhi i varur, i konvertueshëm në kapital aksionar të i bankave, mund të financohet nëpërmjet marrëveshje të huasë ose përmes emetimit të titujve të borxhit, që iu ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të zgjedhur nga vetë emetuesi. Në vitet e fundit, bankat tregtare shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë obligacionet me ofertë private si instrument i sigurimit të borxhit të varur. Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi aplikimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit. Përdorimi i borxhit të varur është një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionarët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij instrumenti. Deri tani, shtatë prej bankave tregtare në vend kanë realizuar të paktën njëherë emetime të obligacioneve me ofertë, private, konkretisht Banka Kombëtare Tregtare, Credins Bank, OTP Albania, ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank dhe Fibank. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit përsëri gjatë vitit 2025 dhe arriti nivelin më të lartë historik. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të dhjetorit ky tregues u rrit në 20.36%, nga 19.82% që kishte qenë një vit më parë. / E.Shehu Burimi: BSH