Bonus-malus solli rënie të lehtë të çmimit mesatar të sigurimit TPL të automjeteve
2026-03-19 - 05:11
Aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një ulje të lehtë të çmimit mesatar të këtij produkti. Mbështetur në statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për muajin janar të këtij viti primi mesatar i shkruar bruto për një kontratë sigurimi TPL ishte pak poshtë vlerës së 18,900 lekëve. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, primi mesatar ka pësuar rënie me afërsisht 2.7%. Në total, primet e shkruara bruto nga produkti TPL u rritën me 4.6%. Por, rritja e primeve erdhi nga shtimi i numrit të kontratave të sigurimit, me 7.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike nisi duke filluar nga data 1 janar 2026. Sistemi bonus-malus parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme një prim më të ulët. Për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm të vetëm llogaritet një koeficient 1.18 mbi primin bazë, ndërsa për ata që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të aplikohet një koeficient 1.39. E thënë ndryshe, drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar do të penalizohen me një malus në masën 18%, ndërsa ata që kanë shkaktuar dy dëme ose më shumë, do të penalizohen me një malus në masën 39%. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme gjatë vitit 2025 përfitojnë një bonus prej 3% në çmimin e sigurimit të detyrueshëm TPL. Sipas vlerësimeve të kompanive të sigurimit, nga 100 drejtues mjetesh që kanë kryer sigurimin e detyrueshëm TPL vitin e kaluar, rreth 4% e tyre kanë shkaktuar dëme. Kjo kategori e drejtuesve do të paguajë një prim sigurimi më të lartë për vitin 2026. Ndërkohë, pjesa më e madhe e drejtuesve të mjeteve, rreth 96% e tyre do të përfitojnë bonus ose ulje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik për vitin 2026. Duke qenë se numri i drejtuesve të mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme është shumë më i lartë se ai që kanë shkaktuar dëme, efekti në primin mesatar pritet të rezultojë negativ. Gjithashtu, efekti pritet të jetë negativ në vlerën totale të primeve të shkruara. Gjithmonë sipas përllogaritjeve të siguruesve, ndikimi i sistemit bonus-malus (pa llogaritur faktorë të tjerë) pritet të jetë negativ për rreth 4.5-5 milionë euro. Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021. Por, zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, por pa përfshirë elementin bonus-malus, që nisi të aplikohet prej 1 janarit të këtij viti./ E.Shehu Burimi: AMF