Bllokimi i Juglindjes, ARRSH: Rrugë alternativë përgjatë hekurudhës, devijim i shtratit të lumit
2026-02-24 - 17:34
Ami Kozeli, drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka folur në një konferencë për mediat lidhur me situatën e krijuar në rrugët e vendit, ku më problematiku është aksi Librazhd–Përrenjas, që paralizoi lëvizjen në juglindje, në Pogradec e Korçë. Ai tha se në 19 shkurt u konstatua aktivizimi i një rrëshqitjeje masive dheu, çka detyroi Autoritetin të kufizonte lëvizjen në një korsi dhe të bëheshin sondazhe gjeologjike për të përcaktuar thellësinë e rrëshqitjes, ndërsa strukturat e ARRSH-së nisën monitorimin e vazhdueshëm të zonës. Ai shtoi se reshjet e dendura të shiut gjatë orëve në vijim e rënduan situatën. Kjo bëri që të shtunën në mëngjes rrëshqitja të avanconte ndjeshëm. “Në këto kushte si masë emergjente u bllokua qarkullimi në urë dhe nisi ndërtimi i një rruge provizore kalimi, e realizuar brenda natës. U orientuan akset alternative”, tha ai. Por, pasi rrëshqitja preku dhe aksin provizor, autoriteti u detyrua të bllokojë totalisht qarkullimin. “Nga analiza e kryer shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë dhe erozioni lumor, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik”. Kozeli tha se në mbledhjen e sotme, Këshilli teknik i përbashkët midis ARRSH dhe hekurudhës shqiptare mori vendimin për ndërtimin e një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Në mbledhje u vendos prishja e urës ekzistuese dhe devijimi i rrjedhës së lumit që godet trupin e hekurudhës, me qëllim mbrojtjen e saj dhe shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës. Edhe drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, deklaroi se në zonën e Dragostinjës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, janë shfaqur problematika të shtuara në infrastrukturën hekurudhore. “Në Dragostinjë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin janë vërejtur problematika të shtuara. Masivi i asaj zone ka një rrëshqitje e cila është aktivizuar 30 vjet më parë. Ky masiv i ngarkuar nga shirat e katër muajve të fundit, bëri planin rrëshqitës. Ne do ndërmarrim hapat tonë për krijimin e rrugës permamente, do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shpat, duke bërë prita në Shkumbin”, tha ai. Inxhinieri Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, tha se sasia e reshjeve ka qenë trefishi krahasuar me dy vitet e mëparshme, duke qenë një faktor kryesor në problematikën e shkaktuar me rrugët. “Ky është një fenomen i njohur si mbingopje e strukturave, i cili ka shkaktuar maksimumin e mbingarkesës dhe ka rezultuar si faktori kryesor i cedimit të gjithë strukturës. Shërbimi Gjeologjik po vazhdon me studimet e thelluara, të lidhura me interpretimin e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të kryhen nga ekspertët, si dhe një seri analizash. Falë kësaj pune, matja e rezultateve do të bëhet nga ana jonë, dhe interpretimi i të gjithë rekomandimeve që Shërbimi Gjeologjik do të japë për këtë situatë do të jetë gjithashtu në përputhje me këto rezultate”, pohoi ai.