Binarët “Kuq e Zi” ende në letër; Çfarë po ndodh me projektin 1.8 miliardë euro Durrës – Prishtinë
2026-03-21 - 21:11
Projekti për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhte Prishtinën me Durrësin vazhdon të mbetet në fazën e planifikimit, pavarësisht se konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo linjë hekurudhore, e quajtur edhe “Hekurudha Kuq e Zi”, pritet të kushtojë rreth 1.8 miliardë euro, por ndërtimi i saj ende nuk ka nisur. Nga Prishtina, Fatos Shala “Pluhurin” që kishte mbuluar projektin e hekurudhës që do të lidhte Prishtinën me Portin e Durrësit e ka larguar disi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ditët e fundit ka folur për këtë projekt dhe e ka cilësuar atë si një nga përparësitë e qeverisë së tij. Z.Rama ka bërë të ditur se projekti po ecën drejt fazës së zbatimit, ndërsa ka theksuar se në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë diskutuar edhe për mundësitë e financimit. “Ka përfunduar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit Durrës–Prishtinë, me gjatësi 105 kilometra, 14 tunele dhe 43 ura. Në takimin e fundit me kryeministrin Albin Kurti kemi folur edhe për dy pista financimi të huaja, të cilat do t’i eksplorojmë bashkërisht”. Sipas tij, linjat hekurudhore do të ndërtohen duke respektuar standardet e Bashkimit Europian dhe do të jenë pjesë e planit për elektrifikimin e rrjetit hekurudhor. Këto deklarata, kryeministri Rama i bëri gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me grupin parlamentar socialist, ku foli për projektet infrastrukturore të realizuara dhe ato që planifikohen të zbatohen gjatë mandatit të tij. Muajin e kaluar, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Kosovë ku u takua me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Në këtë takim, z. Kurti bëri të ditur se mes të tjerash kanë diskutuar edhe për projekte infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë për realizimin e tyre në këtë mandat të dy qeverive. “Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit. Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare”. Kur nisi dhe ku është tani projekti Në vitin 2021, Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në transportin hekurudhor, që lidhet me këtë projekt. Kurse më 20 qershor 2022, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, u konfirmua projekti dhe iu hap rruga zhvillimit të tij. Projekti i hekurudhës Prishtinë–Durrës deri më tani ka kaluar kryesisht në fazën e studimit të fizibilitetit dhe projektidesë. Në vitin 2023 u përzgjodh konsorciumi i kompanive që do të hartonte studimin dhe projektimin e linjës hekurudhore, me afat rreth 14 muaj për analizimin e trasesë, gjatësisë së linjës, kostos dhe përfitimeve ekonomike të projektit. Sipas planeve fillestare, hekurudha do të lidhë Portin e Durrësit me Kosovën përmes territorit të Shqipërisë dhe pritet të kalojë në disa zona të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e urave dhe tuneleve për shkak të terrenit malor. Një nga variantet e diskutuara parashikon që linja të hyjë në Kosovë përmes Gjakovës dhe më pas të lidhet me rrjetin hekurudhor drejt Prishtinës. Së fundmi është bërë e ditur se studimi i fizibilitetit dhe projektideja kanë përfunduar, duke u hapur rrugë fazave të ardhshme të projektit që përfshijnë sigurimin e financimit dhe përgatitjen për ndërtim. Megjithatë, edhe pse projekti konsiderohet strategjik për transportin e mallrave dhe për lidhjen e Kosovës me Portin e Durrësit, ai mbetet ende në fazë planifikimi. Vendimi për financimin dhe nisjen e punimeve pritet të merret vetëm pasi të përfundojnë të gjitha analizat teknike dhe ekonomike. Projekti, i njohur edhe si hekurudha “Kuq e Zi”, sipas projektit paraprak do të jetë rreth 105.8 kilometra i gjatë, me 43 ura, 14 tunele dhe 7 stacione të reja. Sipas planifikimeve, në këtë linjë pritet të qarkullojnë deri në nëntë trena pasagjerësh në ditë. Nëse treni ndalet në çdo stacion, udhëtimi nga Durrësi në Prishtinë do të zgjasë rreth 5 orë e 54 minuta, ndërsa për trenat që ndalen vetëm në stacionet kryesore, udhëtimi mund të zgjasë rreth 3 orë e 40 minuta. Sipas vlerësimeve fillestare, ndërtimi i hekurudhës Prishtinë–Durrës mund të kushtojë rreth 700 deri në 750 milionë euro. Financimi pritet të kërkohet nga institucionet ndërkombëtare financiare, Bashkimi Europian, si dhe nga buxhetet e dy shteteve. Afati më optimist për përfundimin e projektit është rreth 10 vjet, kur pritet të qarkullojë edhe treni i parë në këtë linjë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Ekziston rreziku që ky projekt të përballet me vonesa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka vlerësuar se zhvillimi i hekurudhave do të kishte ndikim të madh në ekonominë e Kosovës, duke ulur kostot për bizneset dhe duke rritur mundësitë për tregti dhe investime. Përfaqësuesi i kësaj Dhome, Kushtrim Ahmeti, ka deklaruar për “Monitor”, se modernizimi dhe funksionalizimi i hekurudhave do të ndihmonte drejtpërdrejt sektorin e biznesit. “Rikthimi në funksion dhe në të njëjtën kohë modernizimi i hekurudhave mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në ekonomi, pasi transporti përmes hekurudhave do të ndikonte në uljen e kostove të transportit, sidomos në një kohë kur Kosova po përballet me rritje të shpejtë të çmimeve të karburanteve, të cilat janë lëndë e parë për transportin”. Ai ka theksuar se transporti hekurudhor mund të ndikojë edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe tërheqjen e investimeve të huaja. “Ky lloj transporti krijon mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë, ndërsa njëkohësisht rrit edhe ofertën e Kosovës për investime të huaja”. Z. Ahmeti ka theksuar se përdorimi i trenit për transport mallrash mund të ulë ndjeshëm shpenzimet për bizneset. “Ndikimi mund të jetë në një përqindje të theksuar, sepse përveç uljes së shpenzimeve për karburant, ndikon edhe në uljen e kostove për mirëmbajtjen e kamionëve transportues. Transporti i disa tonelatave mallra me tren largon nga rrugët dhjetëra kamionë, gjë që ndikon edhe në uljen e ndotjes, kolonave të gjata, dëmtimit të rrugëve dhe aksidenteve në trafik”. Sipas tij, projekti i lidhjes hekurudhore me Shqipërinë është ekonomikisht i arsyeshëm edhe për shkak të infrastrukturës ekzistuese në Kosovë. “Në ndërlidhjen me Shqipërinë, vendi ynë ka më pak kosto ndërtimi, pasi deri në dalje të Prizrenit, hekurudha ekziston dhe vetëm duhet të rivitalizohet. Po ashtu, Kosova është duke investuar në linjën hekurudhore Prishtinë–Hani i Elezit dhe Prishtinë–Leshak, të cilat e lidhin vendin me rrjetin rajonal dhe europian të hekurudhave”. Ai ka shtuar se investimet në hekurudha duhet të vazhdojnë, pasi përfitimet janë afatgjata për ekonominë. “Kosova ka bërë investime në projekte të mëdha infrastrukturore, ndonëse disa prej tyre kanë stagnuar vitet e fundit. Megjithatë, investimet në hekurudha duhet të vazhdojnë, sepse përfitimet janë të shumanshme”. Megjithatë, z. Ahmeti nuk e përjashton rrezikun që projekte të tilla të përballen me vonesa për shkak të situatës politike në vend. “Rreziku që projekte të tilla të mbeten vetëm në letër është gjithmonë i pranishëm, sidomos në një kohë kur Kosova po përballet me pasiguri politike, ngërçe institucionale dhe zgjedhje të njëpasnjëshme. Edhe projektet që financohen nga institucionet ndërkombëtare kanë pasur vonesa në finalizimin e tyre”. Realizimi i projekteve shpesh po vihet në dyshim Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se projekti për Hekurudhën Prishtinë–Durrës shpesh vihet në dyshim nëse do të realizohet apo do të mbetet vetëm në nivel deklaratash politike. Sipas tij, me raportet aktuale që kanë dy shtetet, është vështirë të pritet ndonjë hap i madh drejt realizimit të projektit. Megjithatë, ai thotë se ky projekt duhet t’i tejkalojë inatet politike dhe të nisë zbatimin. “Ky projekt tash e disa vite prezantohet dhe përmendet herë pas here, ndërsa lëshohen deklarata nga krerët e shteteve. Por nuk po shihet diçka shumë konkrete. Jemi të vetëdijshëm që realizimi i tij kërkon kohë, studime dhe analiza, por koha po ecën dhe ende nuk po shihet asgjë në terren. Kam dyshime se me këto raporte politike që janë tani mund të lëvizë diçka konkrete”, ka thënë z. Gërxhaliu për “Monitor”. Ai shton se realizimi i këtij projekti do të ishte një “mrekulli për Kosovën”, pasi sipas tij, hekurudha do të lidhte edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe do të lehtësonte bashkëpunimin mes bizneseve. “Ndërtimi i kësaj hekurudhe do të ishte një fuqi për të dy shtetet. Do të lidhen edhe më shumë mes tyre, do të rritet tregtia dhe do të ketë shumë lehtësi për bizneset. Këto përfitime duhet t’i shohin edhe ata që e kanë në dorë realizimin e projektit dhe të nisin të punojnë seriozisht për të, e jo vetëm të mburren me deklarata politike”. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka deklaruar për “Monitor” se projekti i Hekurudhës Prishtinë–Durrës, i cili ka nisur prej vitesh si ide, po shkon çdo herë e më afër fillimit të realizimit. Sipas tij, kjo hekurudhë mund të ndërtohet nëse dy shtetet punojnë ngushtë mes vete dhe sigurojnë mbështetjen e nevojshme financiare. “Unë e shoh të realizueshëm këtë projekt, por normalisht duhet të punohet shumë nga politika e dy shteteve. Duhet të kërkohen fonde dhe mbështetje ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për një projekt me kosto të lartë”, ka thënë Shahini. Ai shtoi se ndërtimi i kësaj hekurudhe është po aq i rëndësishëm sa edhe Rruga e Kombit, e cila ka lidhur Kosovën dhe Shqipërinë me njëra-tjetrën. “Kjo hekurudhë ka rëndësi të madhe për dy vendet. Ka rëndësi për bizneset dhe për ata që bëjnë tregti, por edhe për qytetarët, pasi do ta ulë ndjeshëm kohën e udhëtimit. Jam i bindur se nëse punohet mirë dhe dy shtetet qëndrojnë afër njëra-tjetrës me mbështetje, projekti mund të realizohet dhe shumë shpejt do të mund ta shijojmë të gjithë”. Çfarë deklaruan ish-ministrat për hekurudhën “Kuq e Zi” Në një shkrim në rrjetet sociale, ish-ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku, e cila tashmë nuk e mban më këtë post, e kishte cilësuar ndërtimin e hekurudhës “Kuq e Zi” si një kapitull të ri për bashkëpunimin mes dy vendeve. “Një hap konkret drejt jetësimit të një projekti kombëtar, që na afron edhe më shumë duke hapur një kapitull të ri mes dy vendeve dhe më gjerë, përmes nxitjes së shkëmbimeve, lëvizjes dhe zhvillimit të ekonomisë. Me vendosmëri, objektiv të qartë dhe padurim për të ecur sa më shpejt e pa humbur kohë për këtë vepër kombëtare”, kishte shkruar znj. Balluku. Ajo kishte bërë të ditur se kjo hekurudhë do të jetë 105.8 kilometra e gjatë, do të ketë 43 ura, 14 tunele dhe 7 stacione të reja, ndërsa sipas projektit të prezantuar linja pritet të kalojë nga Shkodra drejt Gjakovës, për t’u lidhur më pas me rrjetin hekurudhor të Kosovës. Qëndrim të ngjashëm kishte shprehur edhe ish-ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, i cili gjithashtu nuk e mban më këtë post. Ai e kishte cilësuar projektin si një epokë të re për Kosovën dhe Shqipërinë. “Nga Durrësi në Prishtinë: një hekurudhë e re, një epokë e re për Kosovën dhe Shqipërinë. Hekurudha ‘Kuq e Zi’. Përmbyllet me sukses studimi i fizibilitetit dhe dizajni preliminar për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, një projekt strategjik që na afron më shumë me Shqipërinë dhe i hap rrugë një transformimi të madh ekonomik, social e mjedisor”. Sipas tij, kjo linjë hekurudhore do të shërbejë si një urë lidhëse për qytetarët dhe bizneset, duke ulur kostot e transportit dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimi për rajonin. Ai kishte theksuar gjithashtu se projekti parashikon një investim rreth 1.8 miliardë euro, me rreth 105 kilometra hekurudhë, 14 tunele dhe 7 stacione, si pjesë e një vizioni të përbashkët për forcimin e lidhjeve infrastrukturore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Aktualisht, në Kosovë, vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në itinerarin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas. Ndërsa për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës, kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në itinerarin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.