Binaj për SelfCare: Sistemet tona nga më të avancuarat; Bizneset t’i dorëzojnë në një kohë të dytë
2026-01-26 - 10:50
Janë të shumta bizneset, ekonomistët dhe kontabilistet që prej mesë 1 jave raportojnë me shqetësim se aktiviteti i tyre për transmetimin e të dhënave të faturave të fiskalizuara dhe deklaratave doganore është i bllokuar, për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare që përdoret nëpërmjet e-Albania. Për shumë biznesi sistemi rezultoi i bllokuar edhe sot në orët e para të mëngjesit. E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare nuk punon, askush nuk përgjigjet Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp për mosfunksionimin e sistemit të fiskalizimit tha se për të dhënat që nuk arrihen të raportohen nga bizneset mund të mblidhen për t’i raportuar në një kohë të dytë. “Paraprakisht doja të shpjegoja që sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale. Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sisteme krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre. Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”. Drejtori i Përgjithshëm i tatimeve Ilir Binaj në sqarimin e tij gjatë konferencës për shtyp nuk dha afat për periudhën e dytë të raportimit të të dhënave Profesionistë kanë vërshuar me email-e ankesash në adresat e institucioneve zyrtare ku kërkojnë “masat e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve tona ligjore”, theksohej ndër të tjera në një ankesë që bizneset i kanë drejtuar institucioneve.