TheAlbaniaTime

Big Market shpërblen me dy shtëpi klientët, prezantohet edhe aplikacioni i besnikërisë

2026-03-11 - 13:45

Në një periudhë kur konsumatori po bëhet gjithnjë e më i kujdesshëm në mënyrën si planifikon shpenzimet dhe zgjedh produktet, rrjetet e mëdha të retail-it po orientohen drejt formave të reja për të forcuar marrëdhënien me klientët dhe për të rritur vlerën e përvojës së blerjes. Big Market, një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, po hyn në një fazë të re zhvillimi ku promocionet e mëdha kombëtare ndërthuren me transformimin dixhital të shërbimeve. Në këtë kuadër, kompania ka nisur një fushatë të gjerë shpërblimi për klientët, ku çmimet kryesore janë dy apartamente në bregdet, ndërkohë që po prezanton edhe aplikacionin e ri të besnikërisë, një platformë që synon të krijojë një marrëdhënie më të afërt dhe më të personalizuar me konsumatorët në të gjithë rrjetin e dyqaneve. Për ecurinë e konsumit, ndryshimet në sjelljen e klientëve dhe strategjinë e re të kompanisë për vitin 2026, flet Klaudja Karabolli, Drejtore Marketingu në Big Market. Si paraqitet ecuria e konsumit në muajt janar–shkurt 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025? Muajt e parë të vitit 2026 kanë reflektuar një konsum relativisht të qëndrueshëm, me rritje të lehtë në volum në disa kategori bazë. Nuk konstatohet tkurrje e kërkesës, por vihet re një konsum më i matur dhe më i planifikuar. Struktura e shportës ka pësuar ndryshim: konsumatori është më racional, analizon më shumë çmimet dhe orienton buxhetin drejt produkteve me raport optimal cilësi–çmim. Për sa i përket produkteve të shportës ushqimore (oriz, makarona, vaj, vezë), si paraqitet kërkesa? Produktet bazë vijojnë të kenë kërkesë konstante. Krahasuar me vitin e kaluar, vihet re orientim më i theksuar drejt produkteve më të përballueshme brenda kategorive përkatëse. Cilat janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në tendencën e konsumit? Ndikimi i inflacionit në fuqinë blerëse, sezonaliteti, mekanizmat promocionalë dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë faktorët kryesorë. Konsumatori është më i kujdesshëm dhe më i orientuar drejt optimizimit të shpenzimeve. A po vihet re ndryshim në sjelljen e konsumatorit drejt produkteve më ekonomike? Po. Vihet re orientim drejt produkteve me çmim më të përballueshëm dhe drejt ofertave promocionale, si pjesë e një kulture konsumi më të planifikuar. A ka rritje të kërkesës për produkte të paketuara apo gjysmë të gatshme? Po, veçanërisht në zonat urbane. Ritmi i jetesës ka rritur kërkesën për produkte praktike dhe me kohë të reduktuar përgatitjeje. A është në planet e Big Market ofrimi i produkteve të gatuara? Aktualisht jemi në fazë studimi për pilotim të mundshëm në disa pika të përzgjedhura, bazuar në analiza të qarta të kërkesës dhe qëndrueshmërisë financiare. Pritshmëritë për muajt në vijim? Sezoni veror pritet të ndikojë pozitivisht në volumet e shitjes, sidomos në zonat turistike. Po optimizojmë stokun dhe zinxhirin logjistik për të përballuar rritjen sezonale të kërkesës. Ndikimi i ndryshimeve demografike? Urbanizimi dhe ndryshimi i strukturës familjare ndikojnë drejtpërdrejt në kërkesë dhe në vendimmarrjen për zgjerim, bazuar në analiza të densitetit të popullsisë dhe potencialit ekonomik. Aplikacioni i besnikërisë, çfarë përfaqëson? Laçimi i aplikacionit të besnikërisë përfaqëson një hap të rëndësishëm në transformimin dixhital të kompanisë. Klientëve do t’u njihen pikët në çdo dyqan të rrjetit Big Market, pavarësisht qytetit apo pikës së blerjes. Modeli do të bazohet në akumulimin e pikëve nga çdo blerje, të konvertueshme në përfitime konkrete. Shpërblimet do të strukturohen mbi analizën e sjelljes së konsumatorit dhe mbi pritshmëritë reale të tij, duke ofruar përfitime që i përgjigjen nevojave dhe dëshirave të klientëve. Roli i shorteut në vitin 2026? Shorteu do të ketë dimension të zgjeruar: dy apartamente në bregdet, me standard shumë të mirë ndërtimi dhe pozicionim të favorshëm, do të jenë çmimet kryesore. Përveç tyre, mbi 1,000 klientë në nivel kombëtar do të jenë fitues të çmimeve të ndryshme. Integrimi i shorteut me aplikacionin e ri do të rrisë transparencën dhe do të krijojë një proces më të strukturuar regjistrimi dhe monitorimi. Viti 2026 për Big Market përfaqëson një fazë të re konsolidimi dhe transformimi. Fokusimi në dixhitalizim dhe ndërtimin e një sistemi kombëtar besnikërie synon të forcojë marrëdhënien afatgjatë me konsumatorin dhe të krijojë një model zhvillimi të qëndrueshëm.

Share this post: