Betejë pas beteje: Si mund t’i mbijetojë prodhimi shqiptar zinxhirit global të krizave ushqimore?
2026-03-20 - 11:11
Nga Fatos Fico* Ngjashëm me skenarin e filmit “One battle after the other” ku protagonisti përballet me një betejë të re sapo ka përfunduar një tjetër, ekonomia globale dhe ajo shqiptare po kalojnë nga një krizë në tjetrën. Ende pa e marrë veten plotësisht nga tronditja e zinxhirëve të furnizimit prej pandemisë, bota u përball me luftën në Ukrainë, e cila shkaktoi tronditje, përmbysje dhe ndryshime strukturore në tregjet e drithërave, plehrave kimike dhe energjisë. Sot, teksa plagët e asaj krize janë ende të hapura, një tjetër front konflikti në Lindjen e Mesme po kërcënon me forcë përsëri tregjet globale. Kjo seri krizash të njëpasnjëshme po krijon një efekt domino që godet drejtpërdrejt themelet e prodhimit bazë të ushqimit: bujqësinë. Situata ngjan frikshëm me periudhën e menjëhershme pas fillimit të luftës në Ukrainë. Problemet në furnizimin me naftë dhe gaz dhe pasiguria po sjellin rritje të larta të çmimeve veçanërisht të gazit, i cili është bazë për prodhimin e inputeve bujqësore, plehrat kimike azotike por edhe ato fosfatike. Paralelisht, nafta po njeh rritje te shpejtë, duke shtrenjtuar në mënyrë të pashmangshme koston e përdorimit të mekanikës bujqësore, koston e transportit të produkteve nga ferma në tregje, dhe atyre të përpunimit sepse energjia, ambalazhimi e çdo kosto janë shtrenjtuar. Përballë këtij presioni në rritje, është e rëndësishme të kuptojmë se me çfarë masash mund të mbrohet bujqësia shqiptare. Janë në fuqi disa mekanizma mbështetës, ku përfshihen skema e naftës pa taksa, e cila zhvesh karburantin jo vetëm nga akciza, por edhe nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit për punimet e mekanizuara bujqësore, politikat e subvencionimit të drejtpërdrejtë përmes Skemës Kombëtare, të cilat ofrojnë mbështetje financiare për sipërfaqe të mbjella apo për krerë në blegtori, si dhe kompensimi i TVSH-së prej 10% mbi çmimin e shitjes së produkteve tek bizneset (grumbulluesit/përpunuesit) për fermerët e vegjël. Këto janë instrumentet bazë që supozohet të mbajnë gjallë dhe nxisin prodhimin vendas. Por a janë të mjaftueshme këto masa? Dilema e madhe me të cilën përballet sot Shqipëria është e dyfishtë: si të mos lejojmë që rritja e kostove prej krizës së fundit të mos falimentojë prodhuesit vendas dhe, në të njëjtën kohë, si të garantojmë që prodhimet ushqimore vendase të mos kenë çmime të papërballueshme për shqiptarët. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le të ndalemi te një nga këto mekanizma ekzistues, ai që shpesh trumbetohet si një lehtësim i madh: kompensimi i TVSH-së së inputeve për fermerët e vegjël. Kjo nuk është një masë emergjence e lindur si pasojë e luftës, por një politikë e mëparshme, në një linjë me praktikat e Bashkimit Evropian. Ndonëse në letër kjo masë synon të kompensojë TVSH-në e inputeve dhe të ulë koston për fermerët, në praktikë ajo vuan nga dy probleme thelbësore që po u rëndojnë atyre. Së pari, procedura kërkon që fermerët të sigurojnë faturat tatimore nga bizneset me TVSH blerëse. Në realitet, bizneset shpesh nuk lëshojnë fatura ose i lëshojnë ato me çmime jo reale (fiktive), dhe nga ana tjetër, shpesh edhe vetë fermerët nuk i kërkojnë ato. Kjo praktikë duhet të ndryshojë. Së dyti, dhe më problematikja, rimbursimi i këtyre parave nga shteti vonon me muaj të tërë—me limite që shkojnë 7 deri në 8 muaj. Kjo do të thotë që fermeri merr mbrapsht paratë “cash” me vonesa të stërzgjatura, duke e lënë atë zbuluar dhe pa likuiditet pikërisht në momentin kur i duhet të blejë urgjentisht plehrat kimike dhe naftën me çmimet e reja të rritura nga krizat. Përballë këtij realiteti, nevojitet ndryshimi i skemës së TVSH-së së inputeve, duke qënë proaktiv dhe i menjëhershëm. Në bujqësi koha është kritike: ne nuk mund të presim që pasojat e krizës të thellohen, pasi çdo vonesë sot përkthehet në dështim të prodhimit nesër. Si hap i parë afatgjatë, nevojitet ulja e kohës së rimbursimit në maksimumi 3 muaj, e shoqëruar me kontrolle të rrepta ndaj grumbulluesve për lëshimin e faturave dhe ndërgjegjësim të fermerëve që t’i kërkojnë ato. Por si të mbrojmë prodhimin nga rritja aktuale e frikshme e çmimit të inputeve? Masa e parë mund të jetë pezullimi i TVSH-së së inputeve nga 10% që është tani në zero, por si politikë kjo fsheh një rrezik afatgjatë: çdo praktikë “zero” TVSH e instaluar është jashtëzakonisht e vështirë të zhbëhet në kohë normaliteti. Ndaj, kompromis i mirë dhe aksion i duhur është një “pezullim i përkohshëm” me afat të përcaktuar paraprakisht ose një reduktim emergjent i saj vetëm për kohëzgjatjen e krizës. Paralelisht, vetë skema e kompensimit me 10% të çmimit, e cila kur nuk paguhet TVSH për inputet duhet të bjerë, duhet të ruhet dhe të funksionojë si mjet strategjik nxitës dhe proteksionist i përkohshëm, por edhe sepse shumë faktorë do të paguhen nga fermerët me TVSH, si energjia elektrike, shërbimet agronomike, veterinare, transporti, etj. Të aplikohet një kompensim prej 5% të vlerës për produktet që eksportohen dhe në 10% të vlerës për ato që shiten në tregun vendas nga fermerët e vegjël. Kjo lëvizje mund të bëhet pa ndikuar shumë në strukturën kombëtare tatimore, por e ruan prodhimin dhe mund ta rrisë atë duke e orientuar drejt tryezave shqiptare si dhe ul varësinë nga importet me çmime tepër të larta e në situata të vështira tregjesh e transporti. Përtej TVSH-së, një tjetër politikë që kërkon analizë urgjente është vetë Skema Kombëtare e mbështetjes. Aktualisht, kjo skemë ka specifika të përcaktuara: ajo mbulon naftën pa taksa (akcizë, qarkullim dhe karbon), jep subvencione për krerë në blegtori dhe mbështet sipërfaqet e mbjella, me theks të veçantë te serat. Por, a duhet riparë kjo skemë apo të lihet siç është? Në kushtet e një krize globale, ku kostot e plastmasit për serat, plehrave kimike dhe ushqimit për bagëtinë po rriten përditë, vlera e subvencionit fiks për njësi rrezikon të zhvlerësohet plotësisht. Për më tepër, shpesh fondet vjetore shterojnë shpejt dhe kriteret lënë jashtë shumë fermerë të vegjël. Ndaj, përpara se të krijohen masa të reja, duhet të vendosim nëse kjo skemë bazë ka nevojë për një rishikim të shpejtë dhe të thellë të buxhetit dhe kritereve për t’iu përgjigjur realitetit të ri të çmimeve. Pra, për të fituar këtë “betejë pas tjetrës”, është e qartë se nuk mjaftojnë vetëm politikat e vjetra, rimbursimet e vonuara apo skemat e zhvlerësuara. Nevojitet një paketë e plotë emergjence. Çfarë duhet bërë tjetër? Zgjerimi dhe thjeshtimi i skemës së naftës pa taksa: Skema aktuale që heq akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit është një bazë e mirë, por rritja e çmimit në bursë do të jetë sërish në faturë për fermerin. Kjo skemë duhet të zgjerohet për të mbuluar 100% të nevojave reale (normativave) të prodhuesve dhe të zhvishet nga çdo burokraci e tepërt që pengon fermerët e vegjël të përfitojnë prej saj. Ndërhyrje në zinxhirin e tregtimit dhe grumbullimit: Shpesh, diferenca e çmimit nga fusha në dyqan është abuzive. Institucionet duhet të monitorojnë me rreptësi marzhet e fitimit të ndërmjetësve. Rritja e kostos në fermë nuk duhet të përdoret si justifikim për rritje spekulative të çmimeve për konsumatorin fundor. Krijimi i rezervave strategjike të inputeve: Ashtu siç shtetet mbajnë rezerva floriri apo karburanti, ka ardhur koha të mendohet për krijimin e rezervave strategjike të farërave dhe plehrave kimike për të amortizuar goditjet e befasishme të çmimeve në tregjet botërore, duke i ofruar fermerëve çmime të stabilizuara në kohë krize. Tranzicioni energjetik në ferma: Rritja e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike e bën urgjente mbështetjen me grante për vendosjen e paneleve diellore, veçanërisht për serat dhe stabilimentet blegtorale e përpunuese, duke ulur kështu kostot fikse në një të ardhme afatmesme. Lufta në Ukrainë na dha një leksion të hidhur se sa e brishtë është siguria ushqimore. Tani, me një krizë të re që po zë vend dhe po mbyt ekonominë, nuk e kemi luksin të presim e të shohim. Nevojitet një plan kombëtar që e ndan barrën mes shtetit, prodhuesve, përpunuesve, tregtarëve, në mënyrë që faturën e kësaj “beteje të radhës” të mos e paguajnë as me falimentim fermerët, e as me çmime stratosferike konsumatorët. Dhe për politikën është më mirë të kemi sa më shume prodhim vendas si një mënyra më efikase që lufton inflacionin e importuar. *Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm