BEI jep grant 350 mijë euro për restaurimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë
2026-02-25 - 09:04
Banka Europiane e Investimeve (EIB Global) ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për dhënien e një granti prej 350 mijë eurosh, i cili do të financojë shërbime konsulence për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një aset i trashëgimisë kombëtare i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Ky financim do të mbulojë përgatitjen e projektit, hartimin e projektimit dhe rishikimet teknike, si edhe mbikëqyrjen, menaxhimin e projektit dhe proceset e prokurimit. Këto shërbime këshillimore do të sigurojnë që restaurimi i muzeut të përmbushë standarde të larta të efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë klimatike dhe komoditetit për vizitorët, duke përmirësuar njëkohësisht integrimin me mjedisin urban përreth. Fondet vijnë nga Nisma për Reziliencë Ekonomike e BEI-së, e cila synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme, infrastrukturën jetike dhe kohezionin social në Ballkanin Perëndimor. “Kjo nismë plotëson programin EU4Culture dhe do të kontribuojë në rigjenerimin urban dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë,” tha përfaqësuesi i BEI-së në Shqipëri, Alessandro de Concini. “Ajo do të sigurojë gjithashtu që ky institucion i rëndësishëm kulturor t’u rikthehet qytetarëve të Shqipërisë dhe vizitorëve nga e gjithë bota në gjithë madhështinë e tij – më rezistent ndaj fatkeqësive natyrore, funksional dhe plotësisht në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.” Ceremonia e nënshkrimit u mbajt sot në Tiranë në prani të përfaqësuesve të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare dhe delegacionit të EIB Global. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh: “Kjo asistencë teknike nga Banka Europiane e Investimeve është e paçmueshme teksa hyjmë në fazën e dytë të përgatitjes së restaurimit dhe rinovimit të plotë të Muzeut Historik Kombëtar. Ajo siguron që projekti të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, qëndrueshmërisë dhe reziliencës, duke avancuar njëkohësisht objektivat e Shqipëria 2030 dhe duke mbështetur përafrimin tonë me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.” Si një nga financuesit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, EIB Global ka ofruar deri më tani rreth 900 milionë euro financim për Shqipërinë, duke mbështetur lidhshmërinë e qëndrueshme, zhvillimin urban, furnizimin me ujë të pijshëm, krijimin e vendeve të punës dhe mbrojtjen e mjedisit.