Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të shitjes së bukës në qytetin e Korçës
2026-03-05 - 10:34
Autoriteti i Konkurrencës, njofton se nisur nga disa informacione në media në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu. Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi. Konkurrenca sjell në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme. Rritja e çmimit në Korçë, sipas operatorëve të tregut atje erdhi si rrjedhojë e bllokimit disa ditor të rrugës në juglindje për shkak të shembjes së aksit në Librazhd, që shtoi kostot. Tashmë rruga është e hapur normalisht, pas një zgjidhjeve provizione nga Autoriteti Rrugor.