TheAlbaniaTime

Apple Music do të shënojë këngët e krijuara me Inteligjencë Artificiale

2026-03-05 - 11:04

Platforma e transmetimit të muzikës Apple Music do të fillojë të shënojë përmbajtjen që është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, në një përpjekje për të rritur transparencën për dëgjuesit dhe industrinë muzikore. Shërbimi i Apple po prezanton të ashtuquajturat “AI transparency tags”, etiketa të reja metadata që tregojnë nëse inteligjenca artificiale është përdorur në krijimin e një kënge, të tekstit, të kopertinës së albumit apo të videoklipit muzikor. Sipas raportimeve, Apple e ka njoftuar këtë ndryshim përmes komunikimeve me partnerët e saj në industri, duke kërkuar që label-et dhe distributorët të deklarojnë përdorimin e AI-së kur ngarkojnë materiale të reja në platformë. Etiketat do të përdoren kur inteligjenca artificiale ka kontribuar në elemente të rëndësishme krijuese të një publikimi muzikor. Sistemi parashikon disa kategori të ndryshme etiketime. Këto përfshijnë raste kur AI është përdorur në kompozimin e muzikës ose të tekstit të këngës, në krijimin e kopertinës së albumit, në prodhimin e vetë këngës apo në përmbajtjen vizuale të videoklipeve. Në disa raste mund të përdoren disa etiketa njëkohësisht nëse inteligjenca artificiale ka qenë e përfshirë në më shumë se një element të projektit. Megjithatë, sistemi nuk është i automatizuar. Apple nuk po përdor një mekanizëm që identifikon vetë përmbajtjen e krijuar nga AI. Në vend të kësaj, përgjegjësia për deklarimin e përdorimit të inteligjencës artificiale i mbetet vetë label-eve dhe distributorëve që publikojnë muzikë në platformë, duke e bërë këtë në thelb një sistem deklarimi vullnetar. Ky zhvillim vjen në një moment kur përdorimi i inteligjencës artificiale në industrinë muzikore është rritur ndjeshëm, me mjete që mund të krijojnë këngë të plota, tekste dhe madje edhe artistë virtualë. Për platformat e transmetimit, sfida kryesore është të ruajnë transparencën për përdoruesit dhe të dallojnë mes përmbajtjes së krijuar nga njerëzit dhe asaj të prodhuar nga algoritmet. Në këtë kontekst, Apple Music bëhet një nga platformat e para të mëdha të streaming-ut që vendos një sistem të strukturuar për të shënuar përmbajtjen e krijuar me AI, një hap që mund të shtyjë edhe shërbimet e tjera të ndjekin praktika të ngjashme në të ardhmen./ THE TECH BUZZ

Share this post: