APL kërkon dialog dhe bashkëpunim për funksionimin e sistemit të fiskalizimit
2026-01-27 - 15:21
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar institucioneve përkatëse për të ndarë disa vëzhgime nga praktika lidhur me funksionimin e sistemit të fiskalizimit gjatë javëve të fundit, në frymën e bashkëpunimit institucional dhe dialogut konstruktiv. Nga komunikimi i vazhdueshëm me profesionistët dhe bizneset që përfaqësojmë, janë evidentuar disa situata që ndikojnë në përdorimin normal të sistemit, ndër të cilat: vështirësi teknike në procese të caktuara të fiskalizimit; pasiguri operative në planifikimin e veprimtarisë së përditshme; nevojë për orientim më të qartë institucional gjatë periudhave të ndërprerjeve teknike. Në këtë kontekst, APL vlerëson rëndësinë e: një komunikimi orientues dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse; ruajtjes së besimit të bizneseve në proceset e digjitalizimit dhe formalizimit; bashkëpunimit të strukturuar ndërinstitucional për zgjidhje praktike dhe afatgjata. Ne mbetemi të gatshëm të kontribuojmë në mënyrë aktive përmes: ndarjes së feedback-ut të strukturuar nga praktika; pjesëmarrjes në diskutime teknike dhe tryeza pune; dialogut të vazhdueshëm në funksion të përmirësimit të politikave publike. Qasja jonë synon të mbështesë institucionet në forcimin e kapaciteteve të zbatimit, duke garantuar stabilitet rregullator, parashikueshmëri për bizneset dhe rritje të besimit në reformat digjitale, thuhet në njoftim. Lexoni edhe: Rënia e e-Albania, të vetëpunësuarit nuk po marrin pagesat, ka biznese që nuk po paguajnë faturat