TheAlbaniaTime

Çantat nuk janë më çfarë duken

2026-01-31 - 21:06

Çantat luksoze mund të jenë më të dobëta në cilësi sesa mendoni. Ankesat për cilësinë po kthehen në një shqetësim në rritje për marka nga Chanel te Prada, shkruan The Economist Pjesa më e madhe e atyre fatlumëve që gjetën produkte dizajnerësh nën pemën e Krishtlindjes në fund të 2025-s, do të përpiqen t’i mbajnë ato në gjendje të përsosur. Megjithatë, një zhanër gjithnjë e më popullor videosh online u kushtohet pikërisht shkatërrimit të tyre. Krijues si “Tanner Leatherstein” dhe “Fabricateurialist” u tregojnë audiencave të tyre se edhe segmenti më i shtrenjtë i veshjeve dhe aksesorëve është i mbushur me materiale dhe qepje të dobëta. Kritikat më të shpeshta dhe ato që shqetësojnë më shumë markat e luksit, kanë të bëjnë me çantat e dorës me çmime të larta. Një video ku boja shkrihej nga një çantë 2,000 dollarëshe e Goyard, prodhues i artikujve luksozë prej lëkure, pati 3.2 milionë shikime gjatë 2025-s. Në një nënzhanër të ndjekur gjerësisht në TikTok, prodhues kinezë pretendojnë (zakonisht gabimisht) se çanta të ndryshme luksoze prodhohen në vendin e tyre për qindarka. Ankesat për çantat janë veçanërisht shqetësuese për kompanitë e luksit, sepse ato kanë qenë kaq qendrore për suksesin e tyre. Shpesh janë produkti më i njohur, dhe më i shtrenjtë, i një marke. Sipas Bain, një shoqëri konsulence, këto produkte prej lëkure përbënin 25–30% të zgjerimit të tregut global të artikujve luksozë midis viteve 2019 dhe 2023, një periudhë rritjeje të vrullshme gjatë së cilës shitjet totale të industrisë u rritën nga 284 miliardë euro në 369 miliardë euro. Së fundmi, megjithatë, biznesi i çantave ka pësuar goditje. Pjesërisht kjo është pasojë e presionit mbi buxhetet e shtresës së mesme. Ajo pasqyron gjithashtu ndryshime në preferencat e konsumatorëve. Disa blerës të pasur po u japin përparësi përvojave të spikatura ndaj produkteve të markave të luksit, të cilat vitet e fundit janë bërë gjithnjë e më të përhapura. LVMH, gjiganti i industrisë, u ofron tashmë klientëve me shpenzime të mëdha mundësinë për të fjetur në studion origjinale të Christian Dior. Megjithatë, rënia e shpenzimeve për çantat luksoze ka qenë veçanërisht e theksuar, edhe pse kategori si bukuria dhe bizhuteritë kanë vijuar të rriten. Bain vlerëson se rënia e shitjeve të produkteve prej lëkure ka përbërë tre të pestat e reduktimit të shpenzimeve totale për artikuj luksozë që nga viti 2023, duke i çuar ato këtë vit në rreth 358 miliardë euro. Markat e luksit, të cilat i rritën ndjeshëm çmimet e çantave gjatë bumit të shpenzimeve pas pandemisë, kanë nxitur një vëmendje më të madhe ndaj cilësisë. Blerësit që shikojnë çantën Speedy 30 prej cope të Louis Vuitton do të duhet të paguajnë më shumë se dyfishin e asaj që do të paguanin në vitin 2019. Çmimi tipik për një çantë luksoze është rritur nga 8 deri në 12 herë koston e prodhimit në rreth 15 herë, thotë Luca Solca nga firma ndërkombëtare e analizës financiare Bernstein. Një seri hetimesh nga qeveria italiane mbi kushte pune shfrytëzuese, të ngjashme me ato të punishteve ilegale, në zinxhirin e furnizimit të modës luksoze në vend nuk e kanë ndihmuar reputacionin e industrisë. Ndërkohë, ata që lakmojnë një çantë luksoze kanë tani më shumë alternativa. Tregjet online për mallra luksoze të përdorura po rriten me shpejtësi. Vestiaire Collective, një prej këtyre platformave, thotë se çantat janë kategoria e saj më e shitur, duke përbërë më shumë se dy të pestat e vlerës së blerjeve. Imitime të cilësisë së mirë, të njohura si “superfakes”, kanë tërhequr gjithashtu disa klientë që më parë blinin produkte luksoze. Industria e luksit nuk ka ndër mend të heqë dorë lehtë nga një burim i sigurt fitimi si çanta prej lëkure. Pothuajse çdo markë e madhe europiane emëroi një dizajner të ri këtë vit dhe shpreson që çantat që do të shfaqen në dyqane në vitin 2026 të ringjallin interesin e blerësve të lodhur. Marka si Chanel dhe Prada po punojnë për të rregulluar problemet e cilësisë duke marrë pjesë në kapitalin e prodhuesve të lëkurës dhe duke shtrënguar mbikëqyrjen e prodhimit. Hermès i ka shmangur shqetësimet për cilësinë duke pasur një artizan të vetëm që prodhon çantat e saj më të shtrenjta, përfshirë Birkin, nga fillimi deri në fund. Shitjet e produkteve prej lëkure të kompanisë u rritën me 13% në vit në tremujorin korrik–shtator 2025. Mjeshtëria, mesa duket, ende shpërblehet.

Share this post: