“Ankthi ekonomik, pse nuk ndihemi kurrë mjaftueshëm të sigurt”
2026-02-20 - 21:14
Flet Almeida Ahmetbejasi (Xhaferi), psikologe Përtej shifrave të inflacionit, pagave apo tregut të punës, shumë individë përjetojnë lodhje të thellë psikologjike, frikë të vazhdueshme dhe ndjenjën se stabiliteti është gjithmonë i përkohshëm. Psikologia e sheh këtë fenomen jo thjesht si pasojë të kushteve ekonomike, por si rezultat të mënyrës se si shoqëria moderne e ka lidhur vlerën njerëzore me produktivitetin dhe sigurinë me paranë. Cilët janë faktorët kryesorë psikologjikë që e ushqejnë ndjenjën kolektive të pasigurisë financiare? Në vitet e fundit, pasiguria financiare është shndërruar nga një shqetësim individual në një përvojë kolektive. Edhe individë me të ardhura të qëndrueshme raportojnë lodhje emocionale, ankth të vazhdueshëm dhe ndjenjën se stabiliteti është gjithmonë i përkohshëm. Nga këndvështrimi psikologjik, kjo gjendje nuk lidhet vetëm me shifrat ekonomike, por me mënyrën se si shoqëria moderne e ka rikonceptuar sigurinë dhe vlerën njerëzore. Duket se njeriu modern e ka zhvendosur boshtin e sigurisë nga përvoja e brendshme drejt posedimit. Sot, ndjenja e stabilitetit nuk buron më nga ndjesia e autonomisë apo e kuptimit të jetës, por nga të ardhurat, kursimet dhe statusi ekonomik. Kjo e bën sigurinë të brishtë, sepse çdo luhatje ekonomike përjetohet si kërcënim ndaj vetëvlerësimit. Në këtë kontekst, pasiguria financiare shndërrohet në pasiguri identitare. Pse njerëzit ndihen më të lodhur emocionalisht, edhe kur të ardhurat e tyre janë rritur? Një nga paradokset më të shpeshta që vërehet në praktikën klinike është fakti se rritja e të ardhurave nuk shoqërohet domosdoshmërisht me qetësi emocionale. Përkundrazi, shumë individë ndihen më të lodhur se më parë. Kjo ndodh sepse rritja ekonomike shoqërohet me rritje të pritshmërive, frikë nga humbja e statusit të arritur dhe presion të vazhdueshëm për të performuar mirë. Njeriu nuk lodhet vetëm nga puna, por nga nevoja për të ruajtur një standard që vazhdimisht zhvendoset dhe nuk ofron kurrë ndjenjën e mjaftueshmërisë. Sa ndikojnë rritja e çmimeve të mallrave bazë dhe qiratë e larta në perceptimin e stabilitetit emocional? Rritja e çmimeve të mallrave bazë dhe qiratë e larta kanë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin emocional, sepse prekin nevojat më themelore për siguri. Kur ushqimi dhe strehimi bëhen burim ankthi, truri aktivizon një gjendje mbijetese të zgjatur. Kjo gjendje ul kapacitetin për planifikim afatgjatë, rrit irritueshmërinë dhe dobëson ndjenjën e kontrollit mbi jetën. Në terma psikologjikë, kemi të bëjmë me një ankth bazë që normalizohet dhe bëhet pjesë e përditshmërisë. Si ndikon pasiguria në punë dhe ritmi i shpejtë i jetës moderne në ankthin e përditshëm? Pasiguria në punë dhe ritmi i shpejtë i jetës moderne e përforcojnë këtë gjendje. Frika nuk lidhet vetëm me humbjen e vendit të punës, por me ndjenjën e zëvendësueshmërisë dhe me idenë se vlera personale varet vetëm nga produktiviteti. Kur individi përjetohet si mjet dhe jo si qëllim, siç do ta shprehte Fromm, lind një ndarje e thellë mes asaj që njeriu është dhe asaj që pritet të prodhojë. Ky hendek është burim i ankthit kronik. Në këtë kontekst shfaqet ajo që mund ta quajmë “ankth ekonomik”, i cili manifestohet jo gjithmonë në forma dramatike, por nëpërmjet simptomave të heshtura: mendime të vazhdueshme rreth parasë, ndjenjë faji gjatë shpenzimit për kënaqësi personale, lodhje emocionale, pagjumësi dhe tërheqje nga marrëdhëniet. Shumë individë janë funksionalë dhe të suksesshëm në dukje, por emocionalisht të zbrazur. A mund të çojë inflacioni emocional në “burnout”, depresion apo tensione në marrëdhënie? Inflacioni emocional është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj gjendjeje. Ai përshkruan momentin kur individi ka nevojë për gjithnjë e më shumë përpjekje për të ruajtur të njëjtin nivel qetësie. Kjo gjendje, nëse zgjat, rrit rrezikun për “burnout”, “depression latent” dhe tensione në marrëdhënie, veçanërisht në çift, ku paraja shpesh shndërrohet në simbol të sigurisë, kontrollit ose frikës nga humbja. Pse truri ynë shpesh percepton rrezik edhe kur situata financiare nuk është objektivisht kritike? Është e rëndësishme të theksohet se truri ynë nuk reagon vetëm ndaj realitetit objektiv, por edhe ndaj pasigurisë imagjinare. Narrativat sociale të krizës, pasiguria strukturore dhe përvojat e hershme të mungesës, përfshirë ato të trashëguara ndër breza, e mbajnë sistemin nervor në gjendje alarmi edhe kur situata financiare nuk është objektivisht kritike Cilat strategji ose teknika konkrete këshilloni për të menaxhuar këtë ndjenjë të vazhdueshme presioni financiar? Menaxhimi i kësaj gjendjeje nuk mund të reduktohet vetëm në këshilla individuale financiare. Në nivel personal, është thelbësore të rindërtohet ndarja mes vlerës njerëzore dhe statusit ekonomik. Të duam veten për atë që jemi dhe jo për arritjet tona. Si dhe të punohet me skemat e brendshme të mungesës dhe kontrollit. Megjithatë, inflacioni emocional nuk është thjesht problem individual; ai është fenomen shoqëror. Shoqëria prodhon kushtet, sistemi ynë nervor e normalizon ankthin dhe kulturalisht na përforcohen frikërat duke ndërtuar një rreth vicioz të cilin e kemi të vështirë ta thyejmë. Lexoni edhe: Çmimi emocional, kur ankthi bëhet monedhë, “paratë nuk mjaftojnë më”