Aliu i Veliut dhe shtigjet e Labërisë
2026-02-20 - 21:14
“Shtegu i Ali Pashës”, pjesë e projektit 40 milionë euro të turizmit për infrastrukturën në zonat turistike në vend, ndër të tjera transformon Salarinë, Gusmarin, Progonatin. Kjo nismë synon zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonën e Labërisë dhe parashikon një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore që lidhin trashëgiminë historike të Ali Pashë Tepelenës me turizmin kulturor dhe natyror. Nga Fatos Fico, ekonomist Turizmi kulturor dhe natyror në Labëri nuk ka asnjë lidhje me trashëgiminë e Ali Pashait, përkundrazi. Natyra dhe kultura e Labërisë nuk lidhen aspak me Aliun. Natyra, së pari, është e kuptueshme vetvetiu sepse nuk kemi dhe nuk kemi pasur luanë në Labëri, si Pashai. Kultura e Labërisë, nëse ka një karakteristikë, është polifonia, a kënga labe, si dhe përkatësia me territorin. Është vështirë e kuptueshme se si historikisht një lab me opinga, e me fustanellë i cili vetëm kur vdes mund të veshë një këmishë të pastër, të identifikohet me njeriun më të pasur të të gjitha kohërave të Shqipërisë, edhe sot e kësaj dite, pasuri e cila vlerësohet në rreth 30 miliardë dollarë. Shqiptari më i pasur modern vlerësohet në rreth 1,5 miliardë dollarë. Në kontekst historik Skënderbeu vdiq i varfër dhe i pari Princ mes prijësve të tjerë. Po, lebërit mund të kenë bërë këngë për Aliun, e madje ka dhe një vepër me 15 mijë vargje, po labët i kanë kënduar përherë dashurisë, Hankove, lirisë e tokës së tyre, e jo despotëve. Aliu i kontrolloi dhe censuroi vetë, vargjet e Haxhi Sheretit. Në vend të hyrjes Ali Pashai i kërkoi doktorit britanik Henry Holland, që mbasi të vizitonte territorin ku ai sundonte, të jepte mendimin e tij, sidomos lidhur me fortifikimet e reja që po bënte. Kalaja e Gjirokastrës, e cila po rindërtohej me shpejtësi, ishte krenaria e Aliut dhe një pikë që ai mendonte si shumë të fortë dhe mbrojtjen e fundit, në rast se do të hynte në luftë me Sulltanin ose forca të tjera. Doktor Holland vuri re se kalaja nga pikëpamja ushtarake, dhe e mbrojtjes, në rast rrethimi, për shkak të vendndodhjes pranë maleve të tjerë dhe përparimit të artilerisë moderne që mund të vendosej atje dhe të godiste lehtësisht kalanë me efekte shkatërruese, ishte e kotë. Kjo përveç cilësisë së dobët të mureve që po ngriheshin me shumë shpejtësi, por që në asnjë rast nuk do ta përballonin artilerinë e kohës. Kalaja ishte ëndrra e Aliut, një ish-hajdut rrugësh që të sundonte mbi qytetin më të pasur të krahinës, sidomos mbi pasanikët e “borgjezinë” urbane. Holland e pa se ishte e kotë të përpiqej t’ia mbushte mendjen se ishte një shpenzim i kotë nga ana ushtarake dhe se nëse do t’ia thoshte këtë fakt, do ta humbte marrëdhënien me Aliun, i cili nuk pranonte mendime të tjera sidomos mbasi e kishte ndarë mendjen. Ai mbyti të mbyllura në thes, në liqenin e Janinës, disa gra të qytetit, më e famshmja prej tyre Frosina, e cila ishte një grua si Hetairat e Greqisë së lashtë. Përballë reagimit të qytetit, i cili e përcolli masivisht në varr, dhe ziente nga urrejtja për këtë krim primitiv, megjithëse jo i ndryshëm nga mbytjet me thes që bënin ndonjëherë edhe vetë grekët e lashtë, thoshte – si nuk kam këshilltarë të mirë, nuk duhet t’i kisha vrarë të gjitha. Ai që e tregon ngjarjen, një tjetër britanik, thotë se këshillimi më i mirë do të kishte qenë dikush që dinte si t’i ofronte para Aliut që të blinte jetën e tyre. Aliu, kur në fund arriti të largonte dhe të merrte Sulin, e mbushi atë me kulla që të kontrollonte territorin. Aspak nuk janë ndryshe kullat dhe kalatë e Aliut nga bunkerët, ata duhet të kontrollojnë njerëzit dhe jo për mbrojtje nga një armik imagjinar. Luani i Janinës: Një Autopsi ekonomike e një falimentimi të qeverisjes Nëse historia do të analizohej me bilanc ekonomik e zhvillimor, Ali Pashë Tepelena nuk do të konsiderohej si një “shtet-krijues”, por si një despot gjakpirës ekonomik dhe krijues i një skeme gjigante të përfitimit të kapitalit (extractive scheme). Bashkëkohësit e tij në Europën Perëndimore po financonin motorët me avull dhe po krijonin bankat e para qendrore, ndërsa Aliu zbatonte një model ekonomik që do ta linte Shqipërinë e Jugut dhe rajone të tjera në një agoni ekonomike dhe zhvillimore, edhe për gjysmëshekulli pas rënies së tij. Monopoli i dhunshëm dhe mbytja e tregut, Aliu nuk ishte tregtar; ai ishte dhunuesi i tregut. Ai kontrollonte çdo gjë, kishte monopol mbi çdo aktivitet tregtar a prodhues dhe zotëronte mbi 900 çifligje. Ai nuk konkurronte me produktivitet, por me eliminim. Nga ana ekonomike, ai shkatërroi “tepricën e prodhuesit”. Fermeri i Thesalisë apo blegtori i Labërisë nuk kishin asnjë stimul për rritje dhe investime, pasi çdo fitim mbi nivelin e mbijetesës konfiskohej përmes taksave e monopoleve të eksportit. Aliu mblidhte me çmimet që i vendoste vetë bagëtinë e Labërisë dhe e shiste atë në Korfuz tek ushtritë europiane me flori, ose në këmbim të armëve për ushtrinë. Po njëlloj vepronte me monopolin e drithërave të cilat i shiste shumë herë më shtrenjtë se sa i grumbullonte kur prodhimi i bujqve goditej nga përmbytjet dhe moti. Ky mjedis i pasigurisë totale të pronës ndaloi akumulimin e kapitalit nga klasa e mesme, e cila ishte motori i progresit te fqinjët grekë. Kurthi i likuiditetit: floriri si kapital i vdekur. Dallimi midis Ali Pashës dhe një shteti modern, si ai që tentoi Zogu një shekull më vonë, qëndron te funksioni i arit. Aliu grumbulloi rreth 20-30 tonë ar dhe argjend në bodrumet e tij. Ky ishte “kapital i vdekur”. Ai nuk e ktheu këtë pasuri në infrastrukturë produktive, në shkollim, apo në industritë që po lindnin, përveç nevojave ushtarake të tij. Duke nxjerrë masën monetare nga qarkullimi, ai shkaktoi një deflacion artificial në territorin e tij. Rajoni ishte më i pasuri në “arkën e Pashait”, por i tharë për para fizike ose likuiditet në transaksionet e përditshme. Konsumi i kapitalit njerëzor. Në bilancin e Aliut, shqiptarët, e sidomos labët, ishin një “vlerë e shpenzueshme” ushtarake. Në sytë e tij, për një ushtar lab që vritej, 10 të tjerë do të ngriheshin për t’i zënë vendin. I gjithë modeli i qeverisjes dhe ekonomisë bazohej në modelin e dhunës, te forca luftarake e policore për të mbrojtur rentën e tij personale. Kostoja e mundësisë (Opportunity Cost): Dhjetëra mijë burra në moshë prodhuese u hoqën nga cikli i prodhimit bujqësor, zejtar dhe tregtar për t’u bërë mercenarë. Ky shterim demografik, veçanërisht në Jug, u shoqërua me spastrime të shumë zonave e grupeve si Suliotët, Kardhiqi, si dhe me vrasje e burgosje të elitave, tregtarëve, bejlerëve të tjerë, si dhe personave rivalë duke eliminuar pikërisht ata individë që kishin kapitalin njerëzor për të udhëhequr një zhvillim të pavarur e të ndryshëm. Investim sado pak dhe nxitje apo lejim i arsimimit, shkollimit, kulturës, vetëdijes së popullsisë shqiptare? Po, zero! “Falimenti” i vitit 1822 dhe depresioni i madh. Kur koka e Aliut mbërriti në Stamboll, me trupin të mbetur në Janinë, pashallëku pësoi një kolaps sistemik, ose në gjuhë më popullore u kthye në humbëtirë, ku rajone si Labëria u varfëruan dhe shkretuan edhe më shumë, nëse kjo do të ishte e mundur. Likuidimi i aseteve, pasurisë: Turqit transferuan në Stamboll të gjithë çfarë gjetën: ari, argjendi, bizhuteritë dhe pasuria e akumuluar në dekada nga Aliu. Osmanët nuk e riinvestuan thesarin; ata e transferuan atë drejt qendrës së tyre, në Stamboll për ta investuar atje. Jugu i Shqipërisë u gjend praktikisht pa asnjë monedhë në qarkullim. Vakumi institucional: Aliu ishte “institucioni”, ai ishte shteti. Nuk kishte gjykata të pavarura, as banka, as rregulla tregu, as ligje. Me zhdukjen e “Pashait”, ra edhe sistemi i sigurisë dhe kontratave, të bazuara deri në atë moment te frika dhe dhuna. Pasoja: Rajoni ra në një depresion ekonomik që zgjati deri në vitet 1870. Tregtia u zhduk, rrugët u prishën dhe vetmja “industri” që mbeti ishte emigrimi ose kurbeti, duke krijuar varësinë e parë historike shqiptare nga dërgesat e emigrantëve ose remitancat. “Kullat, e kalatë” që na la mbrapa Ali Pasha ishin ajo e keqja e madhe sepse ai programoi një model dështimi. Ai vërtetoi se mund të jesh super i pasur personalisht duke e mbajtur vendin të varfër. Trashëgimia e tij nuk ishte shteti, por “Modeli i Grabitjes”: një udhëheqës që kontrollon çdo qelizë të ekonomisë, që nuk lejon kapitalin të qarkullojë dhe që në fund, e lë vendin në asfiksi kur ai vdes apo largohet. Ndërsa Greqia përdori tregtinë dhe arsimin për të blerë pavarësinë, “projekti” i Aliut la pas vetëm kala guri, burgje dhe tregime për thesare të fshehura. Në garën e kombeve, Ali Pasha na dha një nisje me “kulla, e burgje”: pa kapital, pa institucione dhe me një elitë të asgjësuar. Ky nuk ishte shtet-ndërtim; ishte konsumimi, vrasja e së ardhmes, për lavdinë e një personi me pushtet absolut.