TheAlbaniaTime

Alarm nga bizneset: Oda Amerikane në Kosovë kërkon zgjidhje urgjente nga BE për bllokadat në kufij

2026-01-29 - 13:02

Bllokada e pikave kufitare nga transportuesit e rajonit ka ndaluar qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen, duke ndikuar drejtpërdrejt në importet dhe eksportet e Kosovës. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës. Përmes një reagimi, Oda Amerikane i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit. “Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendndalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave”. Sipas Odës Amerikane, lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së. “Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë. Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, ndërprerjet e zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, si dhe rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset, e rrjedhimisht të kontribuojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit”. Ndër të tjera, Oda Amerikane në Kosovë inkurajon të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së. Gjatë ditës së djeshme edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar se bllokadat në pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor, të krijuara pas zbatimit të Sistemit EES nga Bashkimi Evropian, po shkaktojnë humbje mbi 1 miliard dollarë në ditë në qarkullimin e mallrave me BE-në. Sipas AKB-së, qindra kamionë janë të bllokuar, mallrat po vonohen dhe bizneset po përballen me humbje të mëdha financiare. Transportuesit po paguajnë çmimin e një sistemi të paadaptuar me realitetin e rajonit, ndërsa protestat e sotme janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre barrierave. “Kamionë të bllokuar, mallra të vonuara, biznese në humbje. Transportuesit dhe bizneset po paguajnë çmimin e një sistemi të paadaptuar për realitetin e rajonit. Protestat janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre barrierave që po godasin ekonominë rajonale. AKB kërkon urgjentisht: zbatim fleksibil të EES për Ballkanin Perëndimor kapacitete shtesë në pikat kufitare dialog të menjëhershëm me transportuesit dhe bizneset. Çdo ditë vonesë humbje të reja milionëshe dhe miliardëshe. AKB do të vazhdojë të jetë zëri i bizneseve transportuesve dhe EU mos të jetë pengesa”. Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian. Protesta e tyre është kundër sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, i njohur si EES. Ky sistem parasheh që shtetasit jashtë Schengenit të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda 180 ditësh, por, sipas transportuesve protestues, kjo periudhë nuk mjafton – sidomos për ata që udhëtojnë në vende më të largëta – ndaj edhe shkakton humbje ekonomike dhe rrezik për dëbime. Ata kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga ky rregull dhe paralajmërojnë se bllokada do të zgjasë shtatë ditë, nëse brenda kësaj periudhe nuk gjendet një zgjidhje. Kosova nuk merr pjesë në protestë, por ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende. Për më tepër, edhe shoferët e Kosovës i prek njësoj sistemi EES. Kosova është importuese e gati të gjitha produkteve – nga ushqimi deri te materiali ndërtimor e tekstili. Sipas të dhënave të Doganës, importet e vitit të kaluar kapën vlerën e mbi 7 miliardë eurove, ndërsa eksportet ishin rreth 942 milionë euro – një bilanc që e bën vendin të ndjeshëm ndaj çdo pengese në transit.

Share this post: