TheAlbaniaTime

Aksidentet ulen edhe në shkurt me 9.4%, të rinjtë më problematikë në timon

2026-03-27 - 11:01

Pas uljes së aksidenteve në janar duket se edhe Shkurti 2025 ka vijuar me të njëjtën tendencë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti Statistikave tregojnë se edhe në muajin e dytë të vitit ka një ulje me 9.4 për qind të numrit të aksidenteve rrugore në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Në muajin shkurt 2026 janë regjistruar 97 aksidente rrugore, në të cilat 125 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës janar-shkurt 2026, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 9,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare”, thuhet në publikimin e INSTAT. Të dhënat tregojnë se shkak për aksidentet në shumicën e rasteve është sjellja e drejtuesve të mjeteve në timon teksa grupmosha më problematike është ajo e re. “Gjatë muajit shkurt 2026, 86,6% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25–34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 27,8% të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë”, thuhet në publikim. INSTAT gjithashtu vlerëson se përpunimi i të dhënave ka nxjerrë në pah se numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e shtunë me 21,6%, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e martë me 10,3%. Ndërkohë numri më i lartë i aksidenteve rrugore është regjistruar përgjatë harkut kohor 08:00–12:00, duke përbërë 22,7% të numrit total të aksidenteve rrugore.

Share this post: