TheAlbaniaTime

Aksidentet u ulën me 17.5 për qind në 2025-ën, shumica u shkaktuan nga grupmosha 25-34 vjeç

2026-01-28 - 10:31

Aksidentet shënuan rënie të numrit gjatë vitit 2025 me një total prej 1375. Kjo shifër është 17.5 për qind më e ulët se ajo e vitit paraardhës. Instituti i Statistikave publikoi shifrat e aksidenteve rrugore ku rezulton se vetëm në dhjetor 2025 ishin 130 aksidente. “Në muajin dhjetor 2025 janë regjistruar 130 aksidente rrugore, nga të cilët 176 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). * (Të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi). Gjatë periudhës janar – dhjetor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17,5 %, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në publikim. INSTAT vlerëson se aksidentet rrugore, në 87,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve ndërkohë që pjesa që dominon si shkaktar i tyre është grupmosha e re. “Numri më i lartë i aksidenteve, gjatë kësaj periudhe, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 33,1 % të numrit total të aksidenteve. Në muajin dhjetor 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së premte me 20,0 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së mërkurë dhe të dielë me nga 10,8 % secila. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 14:00 – 17:00, duke zënë 22,3 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej” vlerëson INSTAT.

Share this post: