AKB: Normat e interesit 22% dhe 16%, mbështetje financiare apo fajde e legalizuar?
2026-02-23 - 13:24
Normat e larta të interesit po shndërrojnë kreditë mikrofinanciare në barrë për qytetarët dhe bujqit. Aktualisht kreditë për familjet arrijnë deri në 22% interes, ndërsa për bujqit mbi 16%. Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim ndaj normave të interesit që po aplikojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë e ku thotë se kreditë për familjet arrijnë deri rreth 22 për qind, ndërsa për bujqit mbi 16 për qind. Sipas raportit të Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kreditë për familjet arrijnë deri në 22% interes, ndërsa për bujqit mbi 16%. AKB vlerëson se këto norma janë të pajustifikueshme dhe socialisht të rrezikshme, duke paralajmëruar se po afrohen me “një formë fajdeje të legalizuar me kontrata zyrtare”. “Kur një familje merr kredi me interes rreth 22%, kjo nuk është zhvillim ekonomik – është rrugë drejt borxhit të pafund dhe falimentimit familjar. Kur një bujk detyrohet të financohet me mbi 16%, kjo nuk është mbështetje për bujqësinë – është goditje direkte për prodhimin vendor dhe sigurinë ushqimore të vendit”. Në reagim, AKB kërkon hetim të menjëhershëm institucional për praktikat e interesit në sektorin mikrofinanciar dhe ndërhyrje ligjore për të mbrojtur shtresat më të prekura të shoqërisë. Organizata ka paraqitur tri kërkesa konkrete: Vendosjen e një tavani ligjor për normat e interesit, veçanërisht për familjet dhe bujqit. Ndërhyrje të shtetit për mbrojtjen e qytetarëve nga kreditë me kosto të papërballueshme. Transparencë të plotë mbi fitimet dhe praktikat financiare të institucioneve mikrofinanciare. AKB paralajmëron se nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku real që sistemi financiar në Kosovë të shndërrohet nga një instrument zhvillimi në një mekanizëm që thellon varfërinë dhe pabarazinë sociale. “Kosova nuk ka nevojë për kredi që i fundos qytetarët. Kosova ka nevojë për financim të drejtë që i zhvillon familjet, bujqit dhe ekonominë e vendit”, theksoi në fund Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.