Afati për detyrimet deri më 31 Maj, Taksat Vendore të Tiranës rikujtojnë bizneset për vetëdeklarimin
2026-02-23 - 14:24
Drejtoria e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës ka rikujtuar bizneset të vetëdeklarojnë online ndryshimet në rast përditësimi të dhënash para përfundimit të afatit për kryerjen e pagesës për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore. Afati për kryerjen e detyrimit për pagesën e këstit të taksën e ndërtesës është brenda datës 20 Prill (ku paguhet 50% e vlerës), ndërsa brenda 30 Qershorit është afati për pagimin e 50% të vlerës së mbetur të detyrimit. Ndërsa për tarifat dhe taksat që kanë bizneset afati për pagesën nuk është me 20 Prilli, por është brenda 31 Maji, sipas ndryshimeve të miratuara në korrik 2025. “Afatet kanë rëndësi! Vetëdeklaro çdo ndryshim para afatit final të pagesave të taksave dhe tarifave vendore 20 Prill, afati i fundit i këstit të parë për pronat me qëllim tregtar. 31 Maj, afati i fundit për bizneset”, thuhet në njoftimin Drejtorisë të Taksave dhe Tarifave Vendore. Më herët Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore kujtoi se në muajin shkurt nis procesi i përllogaritjes së detyrimeve vendore për çdo biznes dhe për pronarët që përdorin pronat e tyre për qëllime tregtare, përfshirë taksën e ndërtesës dhe tarifat vendore përkatëse. Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore u kërkoi bizneseve dhe pronarët e pronave tregtare që, përpara rillogaritjes së detyrimeve, të përditësojnë të dhënat e tyre në rast se gjatë vitit 2025 kanë pasur ndryshime, si p.sh. në xhiron vjetore, vendndodhjen e biznesit apo sipërfaqen e pronës së përdorur për qëllime tregtare. Kjo përbën një mundësi për përditësimin e të dhënave në rast të ndryshimeve të tyre, duke garantuar saktësi në llogaritjen e detyrimeve. Procedura për vetëdeklarimin e të dhënave të përditësuara mbetet e njëjtë, përmes formularit të vetëdeklarimit që tashmë u është dërguar tashmë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin e-Albania, te rubrika “Dokumentat e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore. Lexo edhe: Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve të vetëdeklarojnë të dhënat në e-Albania