“Aeroporti i Vlorës risjell nordikët me pushime në Shqipëri këtë verë”
2026-02-21 - 21:14
Intervistë me Elvis Kotherja, Themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality Pas disa vitesh mungese dhe pas zhgënjimit që patën para pandemisë në bregdetin e Durrësit, turistët nga vendet nordike pritet të rikthehen këtë verë në Shqipëri. Duke nisur nga qershori, fluturimet charter drejt Aeroportit të Vlorës synojnë të rikthejnë këtë treg të rëndësishëm turistik, përmes paketave të organizuara nga partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë shqiptare. Në këtë intervistë për “Monitor”, Elvis Kotherja, Themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality, flet për organizimin e këtyre fluturimeve, pritshmëritë për sezonin e parë të operimit të Aeroportit të Vlorës dhe, mbi të gjitha, për atë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të rifitojë besimin e turistëve dhe t’i mbajë ata në afatgjatë. Ju keni njoftuar se “në fillim të qershorit, kompania NTLG Ving & Spies dhe linja e saj ajrore, Sunclass Airlines, do të operojnë fluturime direkte për në Aeroportin e Vlorës (VLO), nga Stokholmi, Oslo dhe Kopenhaga, dhe më pas mundësia për fluturime nga Helsinki. Ving dhe Spies do të jenë kompanitë e para nga rajoni i vendeve nordike që do të kenë fluturime direkte për në Shqipëri”. A mund të na jepni më shumë detaje se si do të funksionojë? Do të jenë linja charter, sa fluturime në javë, sa turistë pritet të sjellin? Po, është e vërtetë. Shitjet po ecin shumë mirë dhe jemi mbi pritshmëritë tona dhe të partnerëve tanë. Bashkë me NTLG Ving & Spies dhe linjën e tyre ajrore, Sunclass Airlines, kemi planifikuar që fluturimet të operojnë tri herë në javë (të mërkurën dhe të shtunën) me qëndrime prej 7, 14 dhe 21 ditësh. Me pak fjalë, partneriteti i Elite Travel Group me NTLG/Ving dhe Spies parashikon rreth 20,000 vizitorë në vitin 2026, me një rritje të pritshme deri në 80,000-90,000 deri në vitin 2028. Sa interes kanë nordikët për Jugun, pasi sipas operatorëve turistikë, në bregdetin e Durrësit interesi ka ardhur në rënie për shkak të mosplotësimit të standardeve që ata kërkonin? Jugu i Shqipërisë ka shumë avantazhe. E para, sepse është një “zonë e re” si pikë interesi për të huajt; e dyta, sepse vitet e fundit disa vende në Jug janë bërë virale nëpër rrjete sociale dhe kjo ka ndihmuar në rritjen e interesit të operatorëve turistikë. Për sa i përket Durrësit, në këtë moment besimi për këtë destinacion është thyer dhe do të duhet pak më shumë kohë që ky besim të rikthehet. Problematikat në vitin 2019 në Durrës me klientët nordikë dëmtuan imazhin dhe mendoj që në atë kohë, Shqipëria dhe Golemi patën një zhvillim të parakohshëm që e bëri të pamenaxhueshme situatën. Vitet e fundit, Durrësi është përmirësuar shumë nga aspekti i infrastrukturës, por edhe ai i shërbimit dhe cilësisë së hoteleve, por kjo duhet parë me kujdes dhe në raport me çmimet. Çdo gjë duhet të reflektohet me një çmim të arsyeshëm dhe jo abuzime në raportimin shërbim/cilësi/çmim. Ne duhet të mësojmë nga gabimet tona dhe të përmirësohemi, pasi gabimet zakonisht shtrihen në një afat të gjatë që mund të prekin dhe dekadat në disa raste. Çfarë planesh të tjera keni për të sjellë turistë përmes Aeroportit të Vlorës, apo edhe atij të Tiranës? Ne jemi të fokusuar në zhvillimin e destinacioneve. Përveç nordikëve, jemi në bisedime me disa tregje të mëdha, siç janë gjermanishtfolësit, francezët, britanikët, vendet e Beneluksit, Europa Qendrore, çekët, polakët dhe gjithashtu Europa Lindore. Ne tashmë kemi hyrë zyrtarisht në listën e interesit dhe përgjegjësia është tek ne për mënyrën se si do ta menaxhojmë me vizion afatgjatë për 10 vitet e ardhshme. Të mos harrojmë që është shumë e rëndësishme të punojmë për një vizion dhe qëllim afatgjatë dhe jo përfitime momentale. Si ka ndikuar hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe shtimi i linjave në ecurinë e turizmit në vend dhe potenciali me hapjen e Aeroportit të Vlorës? Siç po e shohim, këto kompani low-cost janë faktori kryesor i zhvillimit të destinacioneve. Shembulli i përsosur është në Shqipëri, në momentin që Aeroporti i Tiranës zgjodhi të kishte një qasje për bashkëpunim afatgjatë dhe i konsideroi si partnerë Wizz Air, RyanAir, Pegasus, Austrian Airlines, Lufthansa, Vueling, etj., ndodhi që Shqipëria pati një rritje rekord nga viti në vit. Ajo që vihet re dhe që parashikoj është se paketat dinamike do të jenë e ardhmja e kësaj industrie dhe kjo kërkon tre elemente kryesore: përdorimin e teknologjive në industrinë e mikpritjes, punonjës të kualifikuar dhe me aftësi për përdorimin e teknologjisë dhe vizion të qartë nga drejtuesit e industrisë së turizmit, të cilët sot, fatkeqësisht, e shohin industrinë si një industri që sjell përfitime të shpejta. Përgjegjësia për suksesin bie 60% mbi tour operator klasike dhe 40% mbi tour operator dinamik. Pa këto dy elemente, është e pamundur zhvillimi i mëtejshëm i industrisë. Me shtimin e hoteleve, paketat e garancisë do të shkojnë drejt zhdukjes, siç ka ndodhur në vende të tjera. Dhe kjo patjetër do të bëjë që profesionistët të lulëzojnë më shumë. Sa potencial ka Aeroporti i Vlorës për të zhvilluar turizmin e Jugut dhe çfarë planesh konkrete keni ju? Nga statistikat, numri i pasagjerëve që vijnë me charter në Aeroportin e Tiranës është simbolik në krahasim me atë që ne mendojmë, rreth 120,000 – 130,000 në total, kryesisht nga Europa Qendrore. Kjo do të thotë që Aeroporti i Tiranës mbetet si rajonal, që u shërben shteteve rajonale si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, etj., dhe ai i Vlorës do të jetë qartësisht i pozicionuar, veç linjave si aeroport i charter-ave, që do të jetë në funksion të destinacioneve nga Ksamili deri te Gjiri i Lalëzit, etj. Vende si Shëngjini dhe ato të shtrira më sipër gjeografikisht do të jenë më shumë të lidhura me Aeroportin e Tiranës. Një vit më parë, operatorët turistikë konfirmuan që do të kishte lidhje direkte me Aeroportin e Vlorës dhe kishin lidhur kontrata garancie me disa hotele, por kjo nuk u finalizua, duke pasur kosto për operatorët. A keni frikë se përsëritet e njëjta gjë këtë vit? Duke parë angazhimin e autoriteteve qendrore, gjithashtu edhe interesin e investitorëve, nuk shoh ndonjë shenjë që kjo nuk do të ndodhë, sepse infrastruktura dhe angazhimi janë maksimal. Administrata komunikon dhe është në lidhje të sigurt. Kjo më bën ta përjashtoj si mundësi moshapjen. Të paktën për charter-at, do të nisë. Me shumë mundësi, kompani si Lufthansa, Austrian Airlines, etj., dhe linjat schedule do të fillojnë pas tre muajsh, por jam i bindur që fluturimet charter do të hapen shumë shpejt. Lexoni edhe: Si u nda tregu i ajrit në vitin 2025, destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët