Administrata pushon, gjoba punon; Bizneset marrin kamatë për deklarim të vonuar ditën e pushimit
2026-03-23 - 16:31
Kjo fundjavë ka qenë e gjatë, me katër ditë pushim. Por, siç e kemi thënë shpesh, biznesi në shumicën e rasteve nuk e ka luksin që të rrijë kaq gjatë pa punë. Administrata, Po! Ajo ia ka lënë vendin shtetit online dhe vetw pushon e udhwton. Gjithsesi, shumë fundjava apo ditë pushimi zyrtare nuk kanë qenë të qeta këto kohë, ndonëse pothuajse të gjitha veprimet biznesi mund ti kryejë online. Ndonjëherë nuk punon self-care, ndonënjëherë nuk ngarkon dot dokumentet për barrëlindjet apo raportet ecpunonjësve. Një herë tjetër nuk merr dot nënshkrimin elektronik, që të bllokon tërësisht aktivitetin. Këtë fundjavë të gjatë, bizneset po ankohen se po marrin gjoba për deklarim të vonuar, ndonëse afati është shtyrë automatikisht për shkak se e premtja dhe e hena ishin pushim. Sipas ligjit të procedurave tatimore, nëse afati i deklarimit ose pagesës së taksave bie në një ditë pushimi zyrtar (ose fundjavë), afati shtyhet automatikisht në ditën e parë pasardhëse të punës. Kjo do të thotë se nëse afati është të shtunën apo të dielën, kalon të hënën. Nëse është festë zyrtare kalon në ditën tjetër të punës. Nuk ka penalitete nëse veprimi kryhet në atë ditë të parë pune. Ky është një parim i përgjithshëm procedural (zbatohet edhe në ligje të tjera administrative), që garanton që tatimpaguesit të mos penalizohen për ditë kur administrata nuk funksionon. Megjithatë, bizneset u ankuan pranë Monitor se afati i deklarimit të sigurimeve për shkurtin ishte data 20 mars, që ishte pushim. Edhe e hëna është pushim, kështu që afati shtyhet në datën 24, jo vetëm për dorëzimin, por edhe pagesën. Por subjektet raportojnë se atyre u janë shfaqur në sistem kamatëvonesat (shiko foton). Mesa duket dhe vetë sistemi është “çakorduar” nga ditët e shumta të pushimit që ka pasur administrata. Përvoja ka treguar gjithsesi, që kur ka pasur raste të tilla, gjobat janë fshirë automatikisht. Por, duhet të presim që administrata të kthehet në punë!