A po e shtyn lufta në Iran Europën drejt një krize stagflacioni?
2026-03-24 - 14:32
Konflikti në Iran i ka sjellë Europës kombinimin më të rëndë ekonomik të viteve të fundit, stagflacionin. Me kostot në rritje, prodhimin në ngadalësim dhe besimin në rënie, dritarja e stabilitetit për BQE-në duket se është mbyllur. Lufta në Iran, dhe rritja e çmimeve të naftës që ajo ka shkaktuar, po dëmton tashmë aktivitetin e bizneseve në Eurozonë, zinxhirët e furnizimit dhe besimin e kompanive. Rezultati: alarmi më i fortë për stagflacion nga të dhënat e sondazheve europiane në vite. Stagflacioni është një situatë ekonomike ku rritja është e dobët ose zero, ndërsa çmimet dhe papunësia rriten njëkohësisht. Sipas sondazheve paraprake të Indeksit të Menaxherëve të Blerjeve (PMI) nga S&P Global, aktiviteti i bizneseve në Eurozonë humbi ritëm në mars, ndërsa çmimet e energjisë shtynë kostot në nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet. Kombinimi i rritjes së dobët dhe çmimeve në rritje, një përzierje klasike stagflacioni, është skenari që politikëbërësit I frikësohen më shumë. Alarm për stagflacion PMI i përgjithshëm i Eurozonës rezultoi 50.5 në mars, nga 51.9 në shkurt dhe nën pritshmërinë 51.0, niveli më i ulët në dhjetë muaj, vetëm pak mbi pragun e stanjacionit. Por sinjali më shqetësues nuk është mungesa e rritjes, është rritja e njëkohshme e inflacionit. Inflacioni i kostove të inputeve në Eurozonë u përshpejtua në ritmin më të lartë që nga shkurti 2023, i nxitur nga çmimet e energjisë, karburantit dhe ndërprerjet në transportin detar të lidhura drejtpërdrejt me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kërcënimin ndaj kalimit në Ngushticën e Hormuzit. Kohët e dorëzimit nga furnitorët u zgjatën në nivelin më të rëndë që nga gushti 2022, ndërsa prodhuesit përpiqen të sigurojnë inpute mes zinxhirëve të furnizimit të bllokuar. “PMI paraprak i Eurozonës po jep sinjale alarmi për stagflacion, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme rrit ndjeshëm çmimet dhe frenon rritjen,” tha Chris Williamson, kryeekonomist në S&P Global Market Intelligence. “Rënia e pritshmërive për prodhimin e ardhshëm ishte më e madhja që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në 2022,” shtoi ai. Sipas ekonomistëve të S&P Global, të dhënat përputhen me një rritje të PBB-së në Eurozonë nën 0.1% në tremujorin e pare, shumë pranë stanjacionit. Ndërkohë, treguesit e çmimeve sugjerojnë se inflacioni i konsumatorit mund të afrohet drejt 3%, duke e ndërlikuar më tej vendimmarrjen e BQE-së. Ngadalësimi i rritjes u drejtua kryesisht nga sektori i shërbimeve, ku aktiviteti iu afrua stanjacionit. Porositë e reja ranë për herë të parë në tetë muaj, duke reflektuar kërkesë më të dobët dhe pasiguri më të lartë. Në të kundërt, prodhimi industrial tregoi një qëndrueshmëri të lehtë, i mbështetur pjesërisht nga rritja e përkohshme e porosive, ndërsa kompanitë përpiqen të blejnë paraprakisht për të shmangur ndërprerjet e mundshme. Ndikimi i luftës është i dukshëm edhe në logjistikë. Kompanitë raportuan vonesa të gjera në furnizime, të lidhura me transportin detar dhe rritjen e kostove të transportit. Inventarët vazhduan të bien, ndërsa aktiviteti i blerjeve u rrit lehtë, pasi bizneset përpiqen të krijojnë rezerva. Gjermania: rritje në prodhim, por tablo e brishtë Gjermania mbeti në territor rritjeje, me PMI në 51.9, megjithëse ky ishte niveli më i ulët në tre muaj. Prodhimi ishte pika më e fortë, me rritje në ritmin më të shpejtë në më shumë se katër vite. PMI i prodhimit në Gjermani arriti në 51.7, niveli më i lartë në 45 muaj. Megjithatë, arsyeja nuk është qetësuese: kompanitë po rrisin porositë nga frika e ndërprerjeve të ardhshme. Sipas Phil Smith nga S&P Global, kjo rritje është “e përkohshme” dhe presionet në zinxhirët e furnizimit po shtojnë kostot në mënyrë të ndjeshme. Aktiviteti i shërbimeve në Gjermani u dobësua, ndërsa klientët reduktojnë shpenzimet për shkak të pasigurisë dhe kostove në rritje. Franca: pa mburojë për të përballuar goditjen Situata në Francë është më shqetësuese. PMI i përgjithshëm ra në 48.3 në mars, duke hyrë sërish në territor tkurrjeje. Si prodhimi ashtu edhe shërbimet ranë, me sektorin e shërbimeve që shënoi rënien më të shpejtë që nga tetori 2025. Ndryshe nga Gjermania, Franca nuk kishte një bazë të fortë industriale për të amortizuar goditjen. Porositë e reja ranë ndjeshëm, ndërsa kërkesa ndërkombëtare u tkurr në nivelin më të ulët në 15 muaj. “Rimëkëmbja e Francës duket se është në pritje,” tha Joe Hayes nga S&P Global. Kostot e inputeve u rritën në nivelin më të lartë që nga nëntori 2023, ndërsa çmimet e shitjes u rritën vetëm pak, për shkak të kërkesës së dobët. Kjo krijon presion mbi fitimet e kompanive. Dilema e BQE-së thellohet Të dhënat e marsit e vendosin BQE-në në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Me rritjen në ngadalësim dhe inflacionin në rritje, të nxitur nga goditje në ofertë, politika monetare ka pak zgjidhje të qarta. “BQE nuk është më në një pozicion të favorshëm,” tha Williamson, duke paralajmëruar rrezikun e stagflacionit nëse çmimet e energjisë mbeten të larta dhe ndërprerjet vazhdojnë. Kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, si dhe ndikimi i tij në tregjet e energjisë dhe zinxhirët globalë të furnizimit, do të jenë faktorët vendimtarë. / Euronews