426 milionë euro blerje, vetëm 60 milionë shitje: Kosova vazhdon të mbetet treg konsumues
2026-02-24 - 14:04
Deficiti tregtar i Kosovës vazhdon të jetë i lartë, me eksportet që arrijnë vetëm 14% të importeve totale dhe tregojnë varësinë e vendit nga mallrat e huaja. Pavarësisht premtimeve për rritje të prodhimit vendor dhe mbështetje të eksportuesve, bilanci tregtar i Kosovës mbetet thellësisht negativ. Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se në muajin janar 2026, eksportet kanë mbuluar vetëm 14,1 për qind të importeve, një dëshmi e qartë se vendi vazhdon të varet nga mallrat e huaja. Sipas raportit, deficiti tregtar në janar 2026 ka qenë 365,9 milionë euro, që megjithëse paraqet një përmirësim prej 11,6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, mbetet një tregues alarmues për strukturën e dobët të ekonomisë. Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej vetëm 60,2 milionë euro, ndërsa ka importuar 426,1 milionë euro. Struktura e eksporteve tregon se ekonomia kosovare ende nuk ka arritur të zhvillojë industri përpunuese konkurruese. Pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre (21,9%), produktet minerale (11,9%) dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,8%). Kjo do të thotë se Kosova po eksporton kryesisht lëndë të para dhe produkte me vlerë të ulët të shtuar. Importet dominohen nga mallrat e gatshme Në anën tjetër, importet mbeten të larta në pothuajse çdo kategori. Produktet minerale (17,6%), mjetet e transportit (12,8%), ushqimet e përgatitura (11,4%) dhe makineritë e pajisjet elektrike (10,4%) përbëjnë pjesën më të madhe të tyre. Kjo tregon se Kosova vazhdon të konsumojë më shumë sesa prodhon, duke varur ekonominë nga importet. Kosova ka eksportuar në vendet e Bashkimi Evropian rreth 19 milionë euro, me një rënie prej 15,6 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa ka importuar nga këto vende 162,5 milionë euro, që përbëjnë mbi një të tretën e të gjitha importeve. Partnerët kryesorë janë Gjermania, Italia dhe Holanda. Në tregtinë me vendet e CEFTA, Kosova ka arritur një rritje të lehtë të eksporteve (11,8%), por importet nga ky grup janë ulur me 23,9 për qind – kryesisht për shkak të uljes së qarkullimit me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kina dhe Turqia, importuesit më të mëdhenj Në tregtinë me vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, importet dominohen nga Kina (13,8%) dhe Turqia (12,5%), ndërsa eksportet në këto tregje janë minimale. Edhe pse deficiti tregtar është zvogëluar krahasuar me vitin e kaluar, varësia e Kosovës nga importet mbetet e thellë. Prodhimi vendor nuk po arrin të zëvendësojë mallrat e huaja, ndërsa eksportet mbeten të përqendruara në sektorë me vlerë të ulët të shtuar. Pa një strategji serioze industriale, investime në kapacitete prodhuese dhe lehtësira për eksportuesit, Kosova rrezikon të mbetet për shumë vite një ekonomi konsumuese, e varur nga importet dhe nga paratë e diasporës. Tregtia me partnerët kryesorë Eksportet drejt BE-së: 19 milionë euro (31,6% e totalit), me rënie prej 15,6%. Partnerët kryesorë: Gjermania (9,8%), Italia (3,6%) dhe Holanda (3,6%). Importet nga BE-ja: 162,5 milionë euro (38,1% e totalit), me rënie prej 20,5%. Vendet kryesore: Gjermania (13,7%), Italia (3,8%) dhe Polonia (3,6%). Eksportet drejt CEFTA-s: 27 milionë euro (44,8% e totalit), me rritje prej 11,8%. Partnerët: Shqipëria (16,9%), Maqedonia e Veriut (15,9%), Serbia (6,7%) dhe Mali i Zi (4,7%). Importet nga CEFTA: 63,6 milionë euro (14,9% e totalit), me rënie prej 23,9%. Eksportet drejt vendeve të tjera: 14,2 milionë euro (23,6%), kryesisht në Zvicër (12,0%) dhe Turqi (6,1%). Importet nga vendet e tjera: 200 milionë euro (46,9%), ku dominojnë Kina (13,8%) dhe Turqia (12,5%).