2025, shërbimi i borxhit arrin rekord historik 1,5 mld euro nga maturimet e larta të huave
2026-02-26 - 11:04
Shpenzimet e buxhetit për shërbimin e borxhit të qeverisë qendrore arritën në një nivel rekord në vitin 2025, duke shkuar në rreth 145 miliardë lekë (1,5 mld euro) me një rritje prej 53% në raport me vitin 2024. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe përfaqëson një rritje shumë të fortë krahasuar me vitin 2024, kur pagesat për borxhin ishin rreth 94.9 miliardë lekë. Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja e fortë nuk lidhet vetëm me interesat, por kryesisht me kthimin e principalit gjatë vitit 2025. Vitin e kaluar pagesat për shlyerjen e principalit të borxhit të jashtëm arritën mbi 90 miliardë lekë, nga rreth 40 miliardë lekë një vit më parë. Qeveria u përball vitin e kaluar me maturime të larta borxhi që erdhën nga emërtimet e kaluara të Eurobondit dhe për këtë fakt rifinancoi dhe rreth 1,5 miliardë euro. Ndërkohë, edhe pagesat për interesa kanë vijuar trendin rritës gjatë viteve të fundit, duke arritur në rreth 54.7 miliardë lekë në vitin 2025, niveli më i lartë nga 2015-ta. Krahasuar me vitin 2017, kur barra vjetore e interesave kishte rënë në rreth 31.9 miliardë lekë, pas pandemisë kemi rritje të dukshme, çka reflekton shtrenjtimin e financimit pas periudhës së inflacionit global dhe rritjes së normave të interesit. Struktura e interesave tregon se pjesa më e madhe e tyre lidhet me borxhin e brendshëm, që mbulon rreth dy të tretat e totalit. Vetëm në vitin 2025, interesat për borxhin e brendshëm arrijnë mbi 35 miliardë lekë, ndërsa ato për borxhin e jashtëm rreth 19.5 miliardë lekë, duke theksuar varësinë e financave publike nga tregu vendas i huamarrjes. Ecuria e viteve të fundit tregon se pas një periudhe relativisht të qëndrueshme para pandemisë, shpenzimet për borxhin u rritën gjatë krizës së Covid-19 dhe vijuan të mbeten në nivele të larta në kushtet e normave më të shtrenjta të interesit. Viti 2025 shënon një pikë kulmore, pasi një valë maturimesh rriti se tepërmi shpenzimet buxhetore për borxhin. Sipas një parashikimi afatgjatë të Ministrisë së Financave, kostot e shërbimit të borxhit kulmuan vitin e kaluar dhe do të vijnë në ulje deri më 2053. Pritshmëritë janë që në vitin 2030, kostot e shërbimit të borxhit të jenë vetëm 69 miliardë lekë dhe kjo shumë pritet të ulet më tej në vitin 2034 në vetëm 24 miliardë lekë dhe në vitin 2053, me 16 miliardë lekë. Shërbimi i borxhit zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve buxhetore. Vitin e kaluar, kostot e shërbimit të borxhit ishin 5,5% të PBB-së, niveli më i lartë nga 2015./ B.Hoxha Burimi: Ministria e Financave