2024, shtohen ndërmarrjet mikro, bien të voglat dhe të mesmet
2026-03-13 - 11:34
Ecuria e ndërmarrjeve sipas madhësisë në vitin 2024 tregoi se numri i bizneseve mikro ishte në rritje, teksa aktivitetet e vogla dhe të mesme ishin në tkurrje. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, numri total i bizneseve ka shënuar një rritje prej 2%, e cila është ushqyer pothuajse tërësisht nga sektori i mikro-ndërmarrjeve, ndërkohë që shtylla kurrizore e punësimit më të qëndrueshëm, bizneset e vogla dhe të mesme, pësuan rënie. Ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar u zgjeruan me 2,751 njësi të reja brenda vitit 2024, duke arritur në një total prej 112,412 biznesesh. Kjo rritje prej 3% tregon një prirje drejt vetëpunësimit ose bizneseve familjare, të cilat shpesh janë më fleksibël, por edhe më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregut dhe falimentit. Në krahun tjetër, shifrat tregojnë për një tkurrje të segmentit të mesëm të ekonomisë. Ndërmarrjet e vogla, ato që punësojnë nga 10 deri në 49 persona, kanë pësuar goditjen më të fortë, me një rënie prej 3%, duke humbur 158 njësi aktive në harkun e 12 muajve. Ky trend negativ nuk ka kursyer as ndërmarrjet e mesme (50-249 të punësuar), të cilat janë pakësuar me 19 njësi. Kjo e dhënë është veçanërisht shqetësuese, pasi këto kategori përfaqësojnë zakonisht kapacitete më të larta për inovacion dhe eksport. Rritja u vu re edhe në ekstremin tjetër të ndërmarrjeve, ato të mëdha që kanë mbi 250 të punësuar, të cilat u shtuan me 5 aktivitete të reja ose 3%. Ndërkohë që totali i bizneseve është rritur, pesha ra mbi sipërmarrjet më të vogla, ndërsa vështirësitë për t’u rritur apo mbijetuar si biznes i mesëm po bëhen gjithnjë më të forta. Në vitin 2024 rreth 99,9% e ndërmarrjeve aktive në ekonomi janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ato kontribuuan në 82,0% të të punësuarve. Realizojnë 81,4% të shitjeve neto dhe 75,0% të investimeve në ekonomi. Krahasuar me vitin 2023, pesha e NVM-ve në ekonomi mbetet pothuajse e pandryshuar. Krahasimi me Bashkimin Evropian. Treguesit kryesorë që karakterizojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, krahasuar me Bashkimin Evropian, tregojnë se këto ndërmarrje kanë një peshë më të madhe në ekonominë shqiptare. Teksa 82,0% e punësimit në Shqipëri gjenerohet nga NVM-të, 65,1% e punësimit në Bashkimin Evropian gjenerohet nga NVM-të. Gjithashtu, NVM-të në Shqipëri krijojnë 78,1% të vlerës së shtuar në ekonomi, ndërsa në BE kjo peshë është 53,6%. Në vitin 2024 mbi 3,1% e NVM-ve janë ndërmarrje eksportuese dhe 11,9% janë ndërmarrje importuese. Kjo tregon se shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme operojnë kryesisht në tregun e brendshëm. Struktura sipas sektorëve mikro-ndërmarrjet kanë peshën më të madhe të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ndërmarrjet e vogla janë më të përqendruara në sektorin e ndërtimit, ndërsa ndërmarrjet e mesme kanë peshën më të madhe të punësimit në industrinë përpunuese. Mikro-ndërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 47,3%. Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e tregtisë me 31,9%. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të shitjeve neto në sektorin e industrisë përpunuese me 35,8%. Tab.1 Treguesit kryesorë dhe struktura e tyre sipas madhësisë së ndërmarrjes, 2024