18 vjet shtet, Kosova feston sot Ditën e Pavarësisë
2026-02-17 - 07:57
Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Republika e Kosovës feston sot 18 vjetorin e pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. Kështu më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua ëndrra për pavarësi e një populli që kaloi nëpër vuajtje. Kjo është Deklarata solemne e Pavarësisë që u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.” Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën. “I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha e para e vendit. Kryeministri Albin Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se sot kujtohen dhe nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirimin e Kosovës. “Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mbase një Republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar që liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Pavarësinë që sot ne e gëzojmë. Sot nderojmë po ashtu figurat e larta, që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Kosovën për përvjetorin e pavarësisë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë edhe një fotoalbum nga vizita e tij e një dite më parë në Prishtinë. “MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë”, ka shkruar Rama, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen që nuk mund të jetë i pranishëm në manifestimin popullor të solidaritetit për ish-drejtuesit e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Programi i manifestimeve nis që në mëngjes me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë në orën 07:00, e më pas vazhdon me mbledhje solemne të Qeverisë dhe nderime te Monumenti i të Pagjeturve, Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe homazhe te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi. Në orën 09:00 është parashikuar vizita në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa në orën 10:30 nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Pasdite, programi përfshin nderime te Monumenti Heroinat dhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në rrugën Luan Haradinaj. Në mbrëmje, nga ora 17:30, Presidentja e Kosovës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri do të presin mysafirë shtetërorë në pritje solemne, ndërsa ora 20:00 shënon koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.